MASHT

Ministri Bajrami dhe ambasadorja Viets vizituan gjimnazin “Loyola” në Prizren

16 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, z. Nait Hasani dhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, znj. Angelika Viets, vizituan gjimnazin “Loyola” në Prizren, me rastin e 10 vjetorit të punës së suksesshme të këtij institucioni të arsimit privat në Kosovë.

Ministri Bajrami uroi nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për sukseset e dëshmuara ndër vite, ndërsa falënderoi Qeverinë Gjermane për themelimin e këtij gjimnazi, i cili tash e 10 vite po jep kontribut në reformimin e sistemit të arsimit në Kosovë.

“Nga ky gjimnaz, të rinjtë tanë po marrin mësim të standardeve dhe cilësisë së lartë dhe këtë e dëshmon suksesi në Testin e Maturës, ku gjithnjë janë të parët. Mund të themi se kemi një rini inteligjente, e cila meriton një shkollim të mirë”, tha ministri Bajrami ndërkaq shtoi se, përvoja me këtë gjimnaz, por edhe përvoja e arsimit profesional të Gjermanisë janë shembull i mirë, të cilin Kosova duhet ta ndjekë në arsimimin e të rinjve në të ardhmen.

Ndër të tjera, ministri Bajrami vlerësoi se, gjimnazi “Loyola” përveç edukimit ofron edhe mundësi të krijimit të personalitetit të individit, i cili beson në veten dhe që një ditë ndihmon tranzicionin dhe zhvillimin e vendit.

Ndërkaq, ambasadorja Viets tha se shembulli i gjimnazit “Loyola” është një skorie e suksesit dhe bashkëpunimit të mirë në mes qeverive të të dyja vendeve. Ajo theksoi se Qeveria Gjermane në vazhdimësi do të ndihmojë Kosovën, në aftësimin e të rinjve dhe në rritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.