MASHT

MASHTI VAZHDON PAJISJEN E KABINETEVE NË SHKOLLA – MINISTRJA NAGAVCI VIZITOI GJIMNAZIN “SAMI FRASHËRI”

13 Korrik, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vizituar sot Gjimnazin e shkencave natyrore “Sami Frashëri” në Prishtinë, i cili këto ditë ka pranuar nga MAShTI mjete mësimore në vlerë prej 50 mijë euro.

Ministrja ka qëndruar në kabinetet e biologjisë, fizikës, kimisë dhe matematikës, ku tashmë janë vendosur mjetet mësimore dhe pajisje të ndryshme për zhvillimin e mësimit në këto lëndë.

Ajo u njoftua nga mësimdhënësit e lëndëve për lehtësitë që do të krijojnë këto mjete në mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, dhe thanë se këto pajisje do të ndihmojnë në arritjen e rezulateteve dhe ndërlidhjen e teorisë me praktikën.

Ministrja Nagavci zhvilloi më pas edhe një bisedë me mësimdhënësit e këtij gjimnazi për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me shkollën dhe politikat arsimore për zhvillimin e arsimit.

Me këtë rast, ministrja Nagavci tha se do të vazhdojë përkrahja e shkollave nga ana e Ministrisë, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mënyrë që gjenden mundësitë dhe të mbështeten shkollat me pajisjet e nevojshme për ofrimin e arsimit cilësor për fëmijët tanë.

Këtë vit MAShti ka pajisur 15 shkolla fillore e të mesme me mjete të tilla praktike në vlerë totale prej 748.320 euro.

Last modified: 21 Korrik, 2023

Comments are closed.