MASHT

MASHTI ORGANIZON AKADEMI PËRKUJTIMORE PËR PROFESORIN DHE ZYRTARIN, FEHMI KRASNIQI

29 Janar, 2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e profesorit dhe zyrtarit të MAShTI, Fehmi Krasniqi, me ç’rast fjalë rasti ka mbajtur ministrja, Arbërie Nagavci e cila ka vlerësuar lartë kontributin e tij në fushën e arsimit dhe avancimit akademik.

Ministrja Nagavci iu ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes dhe miqve të tij, duke thënë se, jeta dhe vepra e Prof. Fehmi Krasniqi do të kujtohen gjithmonë me respekt dhe admirim.

Ministrja Nagavci tha se, disa njerëz janë të veçantë në shumë aspekte, ndaj jeta dhe vepra e tyre meriton të shënohet dhe të përkujtohet në mënyrë dinjitoze, ndërsa shtoi se bashkëndjejmë me familjen dhe se vlerat e çmuara të njeriut të tyre të dashur njihen dhe lartësohen siç e meritojnë.

Nagavci gjithashtu tha se, Profesor Krasniqi i ka dhënë Ministrisë së Arsimit afro dy dekada punë dhe kontribut të pandalshëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në shumë dimensione.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci vlerësoi se, Prof. Fehmi Krasniqi ka lënë një trashëgimi të vyer kudo që ka punuar dhe jetuar, ndaj mund të thuhet me krenari që kemi qenë me fat të kishim në mesin tonë një njeri me vlera të tilla.

Prof. Kasniqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme te nxënësit dhe mësimdhënësit, si mentor e pedagog në ambientet shkollore e akademike dhe në mesin e kolegëve gjatë punës së tij në Ministri.

Last modified: 29 Shkurt, 2024

Comments are closed.