MASHT

MASHTI ORGANIZOI TAKIM PUNE PËR DISKUTIMIN PUBLIK TË DRAFT STRATEGJISË SË ARSIMIT 2022/2026

7 Korrik, 2022

Me rastin e përmbylljes së konsultimit publik të Draft Strategjisë së Arsimit 2022/2026, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar takim pune me institucione, organizata dhe grupe të ndryshme të interesit, me ç’rast Zëvendësministri i Arsimit, z. Dukagjin Pupovci ka vlerësuar se ky dokument është një vazhdimësi e strategjive të përgatitura më herët dhe është në linjë me dokumentet tjera zhvillimore.

Zëvendësministri Pupovci ka theksuar se Draft Strategjia bazohet në Planin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025, duke shtuar se dokumenti do të plotësohet me vërejtjet dhe sygjerimet të cilat dalin nga konsultimi publik.

Z. Pupovci falënderoi Qeverinë Gjermane e cila përmes DeutscheGesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH ka mbështetur hartimin e Strategjisë së Arsimit (SA) 2022-26, duke kontribuar me ekspertizë profesionale si dhe mbështetje teknike gjatë gjithë procesit hartues, Ministrinë Britanike për Punë të Jashtme dhe Zhvillim dhe organizatën DVV International për mbështetjen profesionale të ofruar përmes konsulencës vendore në procesin e planifikimit.

Znj. Lirie Lokaj, nga GIZ Kosova tha se Qeveria Gjermane punon ngushtë me partnerët politik në Kosovë, ndërsa roli i saj në procesin e draftimit të ksaj strategjie ka qenë më shumë fasilitues, përderisa MASHTI me shumë përgjegjësi dhe profesionalizem ka udhëhequr të gjithë procesin.

Znj. Lokaj tha se tanimë ekziston drafti parapërfundimtar i Strategjisë së Arsimit, ndërsa uroi që nga ky takim të ketë sa më shumë komente të cilat do ta plotësojnë këtë dokument.

Ndryshe, Strategjia e Arsimit (SA) është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë dhe bazohet në pesë objektiva kryesore, si: Edukimi në fëmijërinë e hershme;

Arsimi parauniversitar; Arsimi, aftësimi profesional dhe arsimi për të rritur; Arsimi i lartë dhe

Digjitalizimi i arsimit.

Last modified: 7 Korrik, 2022

Comments are closed.