MASHT

MASHTI ORGANIZOI GARËN NACIONALE PËR PIKTURËN MË TË MIRË ME TEMË KUNDËR TRAFIKIMIT ME NJERËZ

3 Dhjetor, 2021

03 Dhjetor 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës edhe sivjet ishte pjesë e aktiviteteve të fushatës nacionale kundër trafikimit me njerëz, me moton „Mos hesht!“. Krahas ligjëratave në shkolla dhe komuna, MAShTI ka organizuar edhe garën nacionale në pikturë, në nivel të arsimit të mesëm të ulët, ku pas një vlerësimi në nivel komunash, u mblodhën punimet fituese të rrethit të parë dhe u vlerësuan nga komisioni i përzgjedhur profesional.

Ministrja, Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, MAShTI ka qenë dhe është pjesë aktive e punës në zbatimin e Strategjisë nacionale dhe planit të veprimit, duke ushtruar fuqishëm rolin e vet në parandalimin e kësaj dukurie, nëpërmjet të edukimit dhe arsimimit cilësor.

Nagavci theksoi se, Ministria e Arsimit tashmë e ka integruar kёtё temё nё kurrikulat arsimore dhe programet lёndore, veçanёrisht në kapitujt ku trajtohen tё drejtat e njeriut, kryesisht te lënda Edukatë Qytetare, lëndë e cila mësohet në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe te lënda Aftësitë për Jetë, me kapitull të veçantë.

Ndër të tjera, Ministrja tha se, përmes trajnimeve të mësimdhënësve të lëndëve të ndryshme, MAShTI në bashkëpunim me partnerët e vet, ka ngritur kapacitetet e shkollave pёr ta trajtuar kёtё tematikё me qasje ndërkurrikulare dhe ekstrakurrikulare, siç e kёrkojnё politikat arsimore, ashtu qё sektori ynё tё mund ta ushtrojё me efikasitet rolin e vet nё parandalim.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Fehmi Xhata, drejtor i Drejtorisë për hetime kundër trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, udhëheqës i Sekretariatit të Strategjive në MPB, Naim Muja, si dhe zëvendës shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan.

Nxënësit të cilët janë shpërblyer si fitues të garës janë: Albina Aliu nxënëse në ShFMU 2 nga Komuna e Vushtrrisë, Erza Berisha – ShFMU “Zenel Salihu”, Bardh i Madh-Fushë Kosovë dhe Alaudin Muja – ShFMU “Ismail Luma”, Lipjan.

Duke qenë pjesë e grupit ndërministror kundёr trafikimit me njerёz, MAShTI bashkërendon me institucionet tjera qeveritare dhe joqeveritare edhe aktivitet e ndryshme vetëdijesuese në shkolla, duke krijuar mundësitë e shtrirjes së projekteve në sa më shumë shkolla dhe komuna.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, MAShTI ka krijuar lehtësira në riintegrimin e viktimave në sistem arsimor. Nё kёtё vijё, Ministria komunikon rregullisht me strehimoret dhe MPMS, ashtu qё rastet e viktimave tё riintegrohen nё arsim, pasi ta kenё ndjekur programin e mbrojtjes dhe tё rehabilitimit. Kjo reflekton faktin qё MAShTI ёshtё pjesё e hartimit tё procedurave standarde pёr viktimat e trafikimit dhe zbatuese e tyre sipas rolit dhe mandatit qё e ka.

Last modified: 6 Qershor, 2022

Comments are closed.