MASHT

MASHTI MBAJTI TAKIMIN E RREGULLT ME DKA-TË

7 Nëntor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në takimin e rregullt me drejtorët komunal të arsimit, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme të arsimit në komuna, me theks të veçantë hartimin e ligjeve të ndryshme dhe udhëzimeve administrative, përfshirë rregulloren për punësimin e stafit arsimor, ndërtimin e infrastrukturës së re shkollore dhe çerdheve, furnizimin e shkollave me pajisje të ndryshme etj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, Qeveria e Kosovës në vazhdën e angazhimeve të saj për të mbështetur sistemin arsimor, ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, ku buxheti për sektorin e arsimit është rritur për 20 për qind.

Ministrja Nagavci, ndër të tjera tha se, takimi i rregullt mes nivelit qendror dhe nivelit lokal ka peshë të veçantë, duke ditur se koordinimi mes MAShTI dhe DKA-ve ka impakt të drejtpërdrejtë tek mbarëvajtja e punës në shkollat tona.

Në funksion të këtyre zhvillimeve, ministrja Nagavci ka vlerësuar se, MAShTI gjatë gjithë kohës ka pasur një bashkëpunim intensiv me komunat, gjegjësisht DKA-të, në mënyrë që bashkërisht të realizohen objektivat e planifikuara në sistemin e arsimit.

Drejtorët e DKA-ve adresuan shqetësime të ndryshme të cilat ndërlidhen me organizimin e mësimit në komunat përkatëse, për çka ministrja u shpreh e gatshme që adresimet e tyre të trajtohen nga ana e Ministrisë dhe të gjinden mundësi të cilat çojnë në zgjidhjen e tyre.

Zv/drejtori i Departamentit të arsimit parauniversitar, Avni Rexha ka folur për ecurinë e procesit edukativo-arsimor gjatë dymujorit të parë të vitit shkollor 2023-2024, procesin e punësimit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, specialistëve të TIK-ut, këshilltarëve të karrierës dhe çështje të tjera të cilat ndërlidhen me infrastrukturën fizike dhe ligjore.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të AAP-së, Lah Nitaj theksin e vuri te realizimi i mësimit dual, i cili këtë vit shkollor është duke u zbatuar në 12 profile, trajnimin e mësimdhënësve të AAP-së dhe fazën përmbyllëse të kurrikulave për klasët 10, 11 dhe 12.

Last modified: 7 Nëntor, 2023

Comments are closed.