MASHT

MASHTI DHE DKA-TË DISKUTUAN PËR PËRGATITJET PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR

30 Gusht, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi dhe drejtorë të departamenteve të MAShTI, diskutuan me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor 2023/24.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se deri tani në portalin e-kosova janë pranuar rreth 80,000 aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator.

Ministrja i njoftoi drejtorët Komunalë të Arsimit se prindërve që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator.

Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, ministrja i siguroi se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile.

Ajo thekoi se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor.

Po ashtu tha se, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme, dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fillimin e mësimit dual në 8 profile të reja, për Udhëzimet Administrative të ndryshuara dhe plotësuara, dhe çështje të tjera lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor.

Last modified: 30 Gusht, 2023

Comments are closed.