Në mbledhjen e mbajtur sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, zyrtarë të lartë të MAShTI-t kanë kërkuar mobilizim të të gjithë akterëve, në mënyrë që të zbuten pasojat në procesin mësimor për shkak të fillimit të vitit shkollor me vonesë për shkak të grevës.
Në këtë drejtim, është kërkuar edhe respektimi i Kalendarit shkollor për vitin 2022-2023, i plotësuar dhe ndryshuar nga MAShTI.
Në takim është diskutuar edhe çështja e furnizimit me rrymë dhe ajo e ngrohjes në shkolla gjatë sezonit dimëror.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka theksuar se është i nevojshëm një bashkëpunim i shtuar mes nivelit qendror dhe atij lokal, për kalimin e vështirësive sa i përket situatës me ngrohjen në shkolla në kohën kur po kërkohet kursimi i energjisë, derisa janë rritur edhe çmimet e lëndëve djegëse.
Me këtë rast, zv.ministri, inkurajoi DKA-të dhe drejtorët e shkollave që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me komentet e tyre në Udhëzimin Administrativ për organizimin dhe menaxhimin e shkollave, i cili është në diskutim publik.
Në këtë takim, u diskutua edhe për adresimin e dhunës në shkolla, me ç’rast u kërkua një mobilizim i përgjithshëm për edukim cilësor dhe identifikim në kohë të problemeve, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj i dhunës dhe në këtë mënyrë të kemi mirëqenie të fëmijëve dhe mbarëvajtje të procesit mësimor.
Last modified: 13 Tetor, 2022