MASHT

MASHTI DHE ADA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

18 Maj, 2021

Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) me qëllim të financimit dhe zbatimit të projektit “Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e lartë plus (HERAS +).

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje, është ta bëjë sektorin publik të arsimit të lartë dhe të kërkimeve shkencore më konkurrues dhe më të larmishëm në Kosovë në përputhje me Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA), Zonën Evropiane të Kërkimeve Shkencore (ERA) dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).  Ndër të tjera, projekti do të kontribuojë në qeverisjen më të mirë, cilësinë, ndërkombëtarizimin dhe efikasitetin e arsimit të lartë duke kontribuar në përafrimin e arsimit të lartë me tregun e punës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Arbërie Nagavci e ka falënderuar Agjencinë Austriake për Zhvillim për mbështetjen e ofruar deri tash për arsimin. Ministrja e ka quajtur këtë marrëveshje si hap shumë të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në këtë sektor.

Edhe shefja e Zyrës së ADA-s në Kosovë, Sandra Horina ka thënë se është e lumtur për arritjen e kësaj marrëveshje derisa ka premtuar mbështetje të mëtutjeshme për arsimin në Kosovë.  

Projekti do të financohet nga ADA dhe MASHTI. Sipas marrëveshjes, MASHTI do të sigurojë financimin e masave plotësuese/shumëfishuese të projektit në një shumë maksimale prej 300 mijë euro. Ndërkaq, ADA do ta bashkëfinancojë projektin në një shumë maksimale prej 2.5 milionë euro.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.