MASHT

MAShT shënoi Ditën e Vajzave

26 Prill, 2012

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Njësia e të Drejtave të Njeriut, ka shënuar Ditën e Vajzave. MAShT sivjet këtë aktivitet e ka organizuar vetëm, ndërkohë që më herët ky aktivitet është zhvilluar me ndihmën e GTZ së.

Dita e Vajzave ka për qëllim që nxënëset të njihen më mirë me mundësitë e zhvillimit profesional në ato fusha, të cilat rrallë ndiqen nga femrat apo kryesisht konsiderohen si profesione të meshkujve . Arsyeja pse është marrë kjo iniciativë është fakti që jo vetëm në Kosovë, por në shumë vende, nxënëset femra në masë të madhe janë të kualifikuara, por tregojnë pak interesim për profesionet e ashtuquajtura tipike për meshkuj.

Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të arsimit Ramë Buja, në një prononcim të shkurtër për media ndër tjera tha se ky është një aktivitet i rëndësishëm për arsye se inkurajojmë vajzat edhe për profesione të ndryshme dhe se në këto rrethana të shohin mundësitë e përzgjedhjes së profesionit të tyre të ardhshëm

“Me këtë aktivitet ne duam të thyejmë këto stereotipie dhe natyrisht vajzat duke parë profesione të ndryshme të ndërtojnë karrierën e tyre por edhe të gjenden në tregun e ri të punës. Këtë vit për MAShT është prioritet Arsimi dhe Aftësimi Profesional ndërsa gjatë ditës së sotme gjatë vizitës së shkollave të mesme profesionale ,vajzat kanë pas mundësinë të shohin se si zhvillohet mësimi në shkolla të tilla , cilat janë kompetencat apo shkathtësitë që ato mund ti fitojnë në këto shkolla” tha znj Kadriu.

Ndryshe, rreth 25 vajza të shkollave të ndryshme, kanë vizituar disa shkolla të mesme të larta profesionale në Prishtinë, për t`u njohur nga afër me punën edukativo-arsimore dhe perspektivën profesionale që e kanë nxënësit që marrin shërbime edukativo-arsimore dhe praktike brenda këtyre shkollave.

Vizitat e organizuara nga MAShT, janë realizuar kryesisht në komunën e Prishtinës, përkatësisht në shkollat : Shkolla e Mesme Ekonomike ” Hoxhë Kadri Prishtina”, shkolla profesionale ” Shtjefën Gjeqovit”, Shkolla e Bujqësisë ” Abdyl Frashëri dhe shkolla e Mesme Teknike , “Gjin Gazuli”, në Prishtinë

Për nxënëset pjesëmarrëse në këtë aktivitet MAShT ka ndarë disa dhurata modeste.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.