MASHT

MAShT publikoi rezultatet e Testit të Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta

8 Qershor, 2015

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë, të cilit i janë nënshtruar rreth 34 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën.

Azem Guri, këshilltar i ministrit Bajrami, bëri të ditur se rezultati i përgjithshëm në këtë test është 62.6 përqind dhe se rezultatet e arritura në test do t’ u shërbejnë nxënësve për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

“Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultat do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta. Publikimi i konkursit i cili bëhet në Drejtoritë Komunale të Arsimit, mbi bazën e kritereve që i ka paraparë MAShT do të bëhet në të njëjtën kohë në të gjitha komunat, pra më 18 qershor. Konkursi do të jetë i hapur tri ditë”, theksoi Guri.

Këshilltari Guri theksoi se, pavarësisht rezultateve të kënaqëshme, Ministria e Arsimit është e fokusuar në avancimin e cilësisë në arsim.

Z. Guri falënderoi drejtoritë komunale të arsimit, drejtorët e shkollave, administruesit, komisionerët dhe në veçanti nxënësit dhe prindërit, të cilët kanë kontribuar që procesi i testimit të shkojë mbarë.

Rezultati i arritshmërisë sipas lëndëve është: Gjuhë Amtare – 63.9 përqind, Gjuhë Angleze – 85.8, Histori – 65.0, Gjeografi – 57.6, Matematikë – 63.8, Informatikë – 72.6, Fizikë – 48.2, Kimi – 57.9 dhe Biologji – 61 përqind.

Testi i mbajtur më 22 maj, është oragnizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke. Nga 34 mijë nxënës që kanë testuar arritshmërinë deri në këtë nivel të shkollimit, 346 kanë qenë të komunitetit boshnjak dhe 231 të komunitetit turk.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.