MASHT

MAShT prezantoi rezultatet e Vlerësimit Ndërkombëtar PISA- 2015

6 Dhjetor, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prezantoi rezultatet e Vlerësimit Ndërkombëtar PISA – 2015, ku u vlerësua se, përfshirja e Republikës së Kosovës në këtë proces të vlerësimit ndihmon në orientimin e duhur të politikave arsimore të vendit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në fjalën e tij të hapjes tha se, është inkurajues fakti se Kosova ka pasur një vlerësim kredibil dhe se rezultatet e nxjerra nga ky vlerësim tregojnë se arsimi duhet të trajtohet si prioritet kombëtar.

Ministri Bajrami tha se, investimi në arsim, përmes ndarjes më të madhe nga buxheti i shtetit është investim në të ardhmen e shoqërisë sonë.

“Përcaktimi ynë që arsimi të jetë prioritet kombëtar duhet të rezultojë me një ndarje më të madhe të buxhetit për sektorin e arsimit. Nuk duhet të varemi nga mbështetja e donatorëve, sepse ngritja e cilësisë në arsim është përgjegjësi vendore, e ne mund të marrim praktikat më të mira nga ata. Duke ndarë më shumë buxhet, ne ivestojmë në të ardhmen tonë”, është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu ka shprehur besimin e tij se, rezultatet PISA- 2015 do të ndihmojnë që në Testin PISA- 2018, rezultatet e Kosovës të jenë të krahasueshme me ato të shteteve të BE- së.

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për 5 hapat të cilat Ministria e Arsimit i ka marrë për ngritjen e nivelit të cilësisë në arsimin parauniversitar, e të cilat janë: miratimi i Strategjisë Kombëtare për Ngritjen e Cilësisë, përfundimi i suksesshëm i procesit të pilotimit të Kurrikulës, rishikimi teksteve, hartimi i Planit Strategjik të Zhvillimit në Arsim 2017/ 2021 dhe përmirësimi i legjislacionit.

Ndërsa, udhëheqësja e deritanishme e Programit për Zhvillimin e Kapaciteteve në Arsimin Fillor- GIZ, znj. Dagmar Fuchs-Schmitz, theksoi se, ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të marrë vendime vitale për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit, sepse shtetet të cilat kanë bërë reforma në arsim janë shtetet më përparimtare në OECD.



Në testimin PISA 2015 janë përfshirë 28 komuna, me mostër prej 225 shkollave dhe 5161 nxënës të moshës 15 vjeqare, të cilët janë testuar në shkencë, lexim dhe matematikë. Sipas rezultateve të publikuara, arritshmëria e nxënësve kosovarë në shkencë është 378, në lexim 347 dhe në matematikë 362. 

Arritshmëria në këtë testim raportohet duke përdorur rezultatet mesatare. Rezultatet janë të standardizuara me mesataren e OECD-së në rreth 500 pikë. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.