MASHT

MAShT prezantoi Raportin e Rishikimit Funksional

2 Maj, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), prezantoi Raportin e Rishikimit Funksional të MAShT, i cili është bërë me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për hartimin e këtij raporti profesional, me të gjetura dhe rekomandime dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë deri në realizmin e tij.

Ministri Bytyqi me këtë rast ka thënë se, që në fillim të marrjes së mandatit të tij si ministër i Arsimit është angazhuar në realizmin e këtij raporti, i cili parasheh reformën e administratës publike dhe se do të angazhohet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të eliminohen dobësitë që gjenden në funksionimin e Ministrisë.

Ministri Bytyqi tha se, të gjitha të gjeturat e raportit kanë një peshë specifike dhe kërkojnë marrjen e masave adekuate dhe në raport janë dhënë edhe rekomandime se si duhet tu qasemi këtyre të gjeturave.

“Në takimin e parë që kemi pasur me znj. Apostolova, të cilën dua ta falënderoj për bashkëpunimin, kemi rënë dakord që të bëjmë rishikimin funksional të Ministrisë së Arsimit për të parë dobësitë që mund të jenë në funksionimin e kësaj Ministrie kaq të rëndësishme, duke pasur parasysh që Ministria e Arsimit luan një rol të rëndësishëm në prioritetin kryesor që kemi, arsimin dhe edukimin e të rinjve”, është shprehur Ministri.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, ky është një hap pozitiv dhe pas marrjes së hapave të parë drejt realizimit të këtyre synimeve që dalin nga raporti, do të shohim një funksionim ndryshe të Ministrisë së Arsimit dhe do të shohim se secili zyrtar i Ministrisë do të ketë detyra dhe përgjegjësi shumë më të qarta për punën e tyre.

Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalia Apostolova e vlerësoi të rëndësishëm për Kosovën prezantimin e raportit, duke qenë se BE-ja e sheh arsimin ndër sektorët me prioritet.

Apostolova tha se, përmirësimi i arsimit është mënyra më e qëndrueshme në përmirësimin e papunësisë.

“Rishikimi identifikon boshllëqet aktuale dhe vonesat që ju i vëreni në politikbërje. Raporti ka një plan konkret se si të adresohen sfidat ekzistuese në MAShT”, është shprehur Apostolova.

Për rëndësinë e Raportit të Rishikimit Funksional të Ministrisë së Arsimit ka folur edhe këshilltari i Kryeministrit, Besnik Tahiri, i cili tha se ndërmarrja e masave konkrete në realizmin e rekomandimeve është jashtëzakonisht e rëndësishme në realizmin e reformës së administratës publike. Ndërsa, Mark Barrett, përfaqësues i GIZ-it në Kosovë, ka bërë prezantimin e të gjeturave dhe rekomandimeve të raportit.

Last modified: 23 Gusht, 2022

Comments are closed.