Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar punëtorinë dyditore për Rishikimin e Përbashkët Vjetor të zhvillimeve në Sektorin e Arsimit në Kosovë.
Në ditën e parë të punëtorisë u tha se, qëllimi i kësaj punëtorie është të avancojë përgatitjet për PRV 2014, si dhe të bëjë harmonizimin e proceseve të ndryshme në planifikimin dhe koordinimin e sektorit të arsimit.
Këshilltarja, Drita Kadriu, prezantoi politikat prioritare të MAShT-it për vitin 2014 dhe 2015. Kadriu bëri të ditur se, përmirësimi i mëtjemshëm i cilësisë në arsim, plotësimi i nevojave të tregut të punës, përmirësimi i kushteve për zhvillim të arsimit, zhvillimi i kulturës së ndërmarrësisë në të gjitha nivelet, bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe bizneseve, rritja e numrit të shkollave profesionale vazhdojnë të jenë synim parësor i Ministrisë së Arsimit.
Rishikimi i Përbashkët Vjetor 2014 organizohet për herë të tretë dhe ajo që e veçon këtë RPV është se për herë të parë ndërveprojnë politikat e MASHT, proceset e raportimit nga zbatimi i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë, planifikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2015 – 2017 dhe planifikimi i buxhetit vjetor 2015.
Kësisoj, RPV 2014 për herë të parë do të jetë në gjendje të bashkojë të gjitha këto procese dhe të gjitha palët e involvuara për të shqyrtuar progresin në zbatimin e PSAK në vitin 2013 dhe për të projektuar zhvillimin e mëtejmë të sektorit të arsimit në vitin 2014 dhe 2015, në përputhje me politikat kryesore zhvillimore të MASHT.
Last modified: 1 Shtator, 2022