MASHT

Përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore sipas standardeve

9 Shkurt, 2014

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), respektivisht Departamenti i Inspeksionit, pas inspektimit me ekspertizë që është bërë në disa shkolla, ka konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardeve.

MAShT ka dërguar në terren inspektoret e arsimit, pas situatës së krijuar të premten, kur u mbyllen disa nga shkollat e Prishtinës, me arsyetimin se për ngrohje në shkollat e kryeqytetit është përdorur naftë me sasi të lartë të sulfurit.

Departamenti i Inspeksionit ekspertizën e ka bërë në shkollat: “Sami Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla e re në Hajvali. Ndërsa, përveç inspektorëve të arsimit, në këtë inspektim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga inspektorati i Ministrisë së Punës, nga Drejtoria Komunale e Arsimit, Instituti i Mjekësisë së Punës – Shërbimi për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe drejtorët e shkollave përkatëse.

“Në bazë të matjeve të përqendrimit të gazrave kimike (dioksidit të karbonit, monoksidit të karbonit dhe gazrave nitroze), me paisjen Multianalizer të kompanisë “Dragen”, kemi konstatuar se përqendrimi i gazrave toksike në ambientet dhe mjediset shkollore është: CO2-0,030% – 0,070% (në kufijtë normal), monoksidi i karbonit (CO-0,0 ppm), dioksidi i sulfurit (SO2-0,0ppm) dhe gazrat nitroze (Nox – 0,0ppm)”, thuhet në raportin e Departamentit të Inspeksionit, ku është konstatuar se përqendrimi i gazrave në ambientet shkollore është sipas standardev të përcaktuara.

Po ashtu, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pas kërkesës së bërë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të kuptuar përmbajtjen e cilësisë së naftës që përdoret për ngrohje në shkollat e Prishtinës, ka marrë përgjigjen nga kjo e fundit se derivatet e naftës të përdorura për nxemje në shkollat e Prishtinës janë brenda standardeve të përcaktuara dhe rregulloret në fuqi në Kosovë.

Prandaj, MAShT siguron opinionin e gjerë e sidomos prindërit se nuk ka arsye për shqetësime dhe kërkon që të gjitha shkollat e Prishtinës të hënën të fillojnë mësimin. 
Po ashtu, MAShT bën thirrje që shkollat, respektivisht nxënësit dhe mësimdhënësit të mos përdoren për agjenda të politikave ditore.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.