MASHT

MAShT organizoi Konferencën “Arsim për punësim – bashkëpunimi i shkollave profesionale me bizneset”

2 Nëntor, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, ka organizuar konferencën “Arsim për punësim – bashkëpunimi i shkollave profesionale me bizneset”. Qëllimi i kësaj konference është diskutimi dhe nxjerrja e përfundimeve për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale me bizneset, me synim të rritjes së numrit të nxënësve të arsimit profesional në realizimin e mësimit praktik dhe praktikës profesionale.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka theksuar se, kjo konferencë përmbyllë fazën e parë të kampanjës për harmonizimin e arsimit me nevojat e tregut të punës dhe pajisjen e të rinjve me shkathtësi, të cilët do të jenë edhe bartës të tranformimit të shoqërisë.

“Kjo kampanjë ka për qëllim arritjen e një konsensusi brenda sistemit të edukimit për nevojën e reformimit të arsimit profesional dhe ndërlidhjen e tij me punësimin, zhvillimin ekonomik dhe nevojat e tregut të punës. Sot arsimi është ekonomi, arsimi profesional është resurs për industri dhe ne me këtë konferencë po i japim një kontribut të rëndësishëm përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar kapital njerëzor”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka falënderuar donatorët dhe qeveritë e vendeve të ndryshme evropiane, të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në reformimin e arsimit profesional, përcaktimin e qartë të nevojave të tregut të punës dhe orientimin e hershëm të nxënësve në karrierë.

Në vazhdim, ministri Bajrami ka ftuar përfaqësuesit e bizneseve që të bëhen pjesë e arsimit profesional, si partnerë të rëndësishëm në përgatitjen e nxënësve dhe studentëve me shkathtësi dhe zhvillimit ekonomik të vendit.



Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Ramiz Kelmendi ka vlerësuar se përfundimet, të cilat do të dalin nga kjo konferencë do të ndihmojnë në avancimin e arsimit profesional në Kosovë dhe harmonizimin e tij me nevojat e tregut të punës, si një problem, i cili shtron domosdoshmërisht përfshirjen e shumë faktorëve në këtë proces.

Thomas Gnocchi, udhëheqës i Njësisë për Çështje Politike, Ekonomike dhe Integrime Evropiane në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë  tha se, kjo konferencë ka për qëllim përmirësimin e mësimit praktik dhe sigurimin e aftësimit të studentëve lidhur me nevojat e tregut të punës.

Në Konferencë morën pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhaliu.

Përfundimet që do të dalin nga diskutimet e kësaj Konference do të shfrytëzohen si bazë për hartimin e platformës së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, shkollave profesionale dhe bizneseve.    

Konferenca është organizuar edhe në mbështetjen e projektit “Harmonizimi i Arsimit me Kërkesat e Tregut të Punës – ALLED”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim, projektit “Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim – KEEN”, i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe me mbështetjen e projektit të financuar nga Qeveria e Luksemburgut KSV/015 “Mbështetje Reformës së AAP në Kosovë”.                    

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.