MASHT

MAShT ndau çmimin “Shkencëtar i Vitit” dhe “Shkencëtar i Ri i Vitit” për vitin 2015

29 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në një ceremoni solemne ndau çmimin vjetor “Shkencëtar i vitit“ dhe “Shkencëtar i Ri i Vitit“ për vitin 2015.  Këtë  çmim, tashmë tradicional, MAShT ua ndanë shkencëtarëve, të cilët  gjatë periudhës njëvjeçare, me punën e tyre kërkimore-shkencore kanë arritur rezultate të larta.

Para se të ndajë çmimet, ministri Bajrami ndër tjera tha se, kjo është një ngjarje e veçantë për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Arsimit. “Kjo ceremoni gjithmonë na bën të ndjehemi krenar, sepse në Kosovë kemi shkencëtarë që shënojnë rezultate të mira në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe që janë shpresa e këtij vendi, sepse një shtet matet edhe me atë se sa ka rezultate shkencore”.

Ministri Bajrami theksoi se rezultatet e shkencëtarëve tregojnë se është e mundur që në Kosovë të reformojmë sistemin e arsimit të lartë dhe brenda këtij sistemi të vendosim komponentën e hulumtimit shkencor, ashtu siç edhe është vendosur me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë dhe me një varg dokumentesh tjera.

“Ne si një shtet i ri, që kemi një popullsi të re, kemi për detyrë që investimet në shkencë t’i rrisim dhe këta shkencëtarë gjithmonë t’i mbështesim”, tha ministri Bajrami dhe u shpreh i sigurtë se nga viti i ardhshëm do të rriten fondet për shkencë në mënyrë që të stimulohen shkenctarët e rinj në punën e tyre kërkimore.

Këtë vit çmimin “Shkencëtar i Vitit” e ndanë: Prof. Asoc. Dr Avdulla Alija – Departamenti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore (FShMN) të Universitetit të Prishtinës (UP), Prof. Ass. Dr. Avni Berisha – Departamenti i Kimisë – FShMN i UP-së  dhe Prof. Ass. Dr. Halil Ibrahimi – Departamenti i Biologjisë i FShMN të UP-së.

Ndërsa, çmimi “Shkencëtar i Ri i Vitit “, iu nda: Armond Dacit – (doktorant),  bashkëpunëtor shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në UP, Pranvera Ibrahimit – (doktorante), bashkëpunëtore shkencore në Departamentin e Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Klinike në Universiteti UMEA dhe Valmir Krasniqit – (bashkëpunëtor shkencor), Departamenti i Matematikës i FShMN të UP-së.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.