MASHT

Marrëveshje Bashkëpunimi me Korporatën “Dukagjini” për pilotimin e sistemit dual të arsimit

30 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi me përfaqësuesin e Korporatës “Dukagjini”, z. Korab Lluka, me të cilën nxënësit e shkollave profesionale do të mund të kryejnë praktikën profesionale, sipas sistemit dual të arsimit dhe aftësimit profesional.

Me këtë rast, ministri Bajrami uroi që kjo Korportë të marrë sa më shumë nxënës në praktikë dhe të mundësojë që të rrisim cilësinë në shkollat profesionale, në mënyrë të veçantë dimensionin profesional nëpër shkolla.

“Ky është një projekt kombëtar që po e udhëheqë Qeveria e Kosovës dhe synon lidhjen e shkollave profesionale me tregun e punës. Dëshirojmë që nxënësit tanë të marrin shkathtësi duke punuar dhe duke u sfiduar”, tha ministri Bajrami dhe u shpreh i kënaqur që kjo Korporatë, e cila ofron disa veprimtari, do të investojë në trajnimin e nxënësve të komunës së Pejës për nevojat e biznesit, por edhe të mundësojë punësimin e tyre. 

Ministri përmendi se ky është projekt që po mbështetet nga GIZ-i gjerman, i cili ka dhënë shumë donacione për të bërë lidhjen e shkollave profesionale me nevojat e tregut të punës.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap i mbarë për zhvillimin e arsimit profesional në komunën e Pejës, që është në favor edhe të kompanisë nënshkruese.

Përfaqësuesi i Korporatës “Dukagjini”, z. Korab Lluka theksoi gatishmërinë e Korporatës që të vë në dispozicion të nxënësve përvojën praktike në veprimtaritë, të cilat i zhvillon Korporata.

Sistemi dual nënkupton hartimin e standardeve të profesionit dhe kurrikulave në bashkëpunim me ndërmarrjet, sipas kërkesave të tregut të punës (ndërmarrjes), si dhe realizimin e mësimit praktik, i cili parashihet në kurrikulë.

Me respekt,
Divizioni për Komunikim Publik
Tel: 038/ 212 665

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.