MASHT

MAShT mban takim të veçantë me DKA

22 Mars, 2012

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kanë mbajtur sot takim të veçantë me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, ku kanë diskutuar për grantin specifik të Arsimit për vitin 2013, që nënkupton ndarjen e buxhetit qendror për DKA-të, sipas formulës shtetërore të financimit, e cila përfshin pagat për mësimdhënës, pagat për personelin administrativ dhe ndihmës, mallrat dhe shërbimet, investimet e vogla kapitale dhe politikat e reja, të cilat i planifikon Ministria e Arsimit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, ka inkurajuar drejtorët komunalë të Arsimit për punën që po bëjnë, në rrethanat dhe potencialet financiare, të cilat ekzistojnë aktualisht, ndërkaq ka thënë se ky ritëm i punës duhet të vazhdohet, për faktin se çfarëdo arritje e shënuar bëhet në të mirë të të gjithëve.

Ministri Buja, në këtë takim, po ashtu, ka diskutuar me drejtorët e Arsimit, mundësinë e një vizite studimore në Turqi dhe ka ftuar ata që të adresojnë në Ministrinë e Arsimit çfarëdo çështje me të cilën ata ballafaqohen.

Drejtori i Departamentit të Administratës së Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu, ka thënë se granti specifik i Arsimit bazohet në sistem të hapur të financimit, sipas ligjit të financave të pushteit lokal dhe synon të mbështes objektivat e Ministrisë së Arsimit për Arsimin Parauniversitar.

Drejtori i Arsimit Parauniversitar, Istogu, ndër të tjera, ka vlerësuar se buxheti i arsimit për vitin 2012, i cili është mbi 1 milion euro flet për rëndësinë që i jep Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit avancimit të sistemit arsimor.

Ndërkaq, disa nga drejtorët e DKA-ve kanë kërkuar që të zbatohet formula buxhetore, ashtu siç është e paraparë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.