MASHT

MAShT dhe MASh vazhdojnë procesin e unifikimit të kurrikulës së arsimit parauniversitar

27 Shkurt, 2014

Ministria e Arsimi, Shkencës, Teknologjisë (MAShT), Ministria e Arsimit e Shqipërisë (MASh) dhe Instituti për Zhvillim të Arsimit në Shqipëri (IZHA) në kuadër të marrëveshjeve ndërshtetërore për bashkëpunim në fushën e arsimit, po mbajnë punëtori të përbashkët në nivel ekspertësh (grupe punuese) për unifikim të kurrikulës së arsimit parauniversitar.

Punëtoria me temën “Zhvillimi, bashkëpunimi për kurrikulë Kosovë-Shqipëri është vazhdim i takimeve të mëhershme të grupeve punuese të dy vendeve me qëllim të diskutimit rreth modaliteteve për unifikim të kurrikulës Kosovë – Shqipëri dhe ofrimi i përvojave më të mira nga procesi i pilotimit të Kornizës së Kurrikulës së Kosovës (KKK) dhe kurrikulave bërthamë (KB) në Kosovë.

Agim Berdyna, drejtor për Zhvillim të Arsimit Parauniversitar në MAShT, tha po vazhdon procesi i unifikimit të dokumenteve bazë të arsimit parauniversitar, për të cilat janë dakorduar të dy qeveritë, respektivisht ministrat e arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, me çka do të krijohen parakushtet edhe për hartim të teksteve të përbashkëta në të ardhmen.

Ndërkaq Gerti Janaqi, drejtor i Institutit për Zhvillim të Arsimit (IZHA) në Shqipëri, theksoi se nga ky takim bashkëpunues, pret që të shikohet më detajisht KKK dhe KB, të diskutohet për çështje të ndryshme, që së shpejti të kemi një dokument të kompletuar të përbashkët kurrikular Kosovë -Shqipëri.

Përfaqësuesit e Shqipërisë theksuan nevojën e përfitimit nga eksperienca kosovare e pilotimit të KKK-së në 10 shkolla pilot dhe për vendosjen (përpilimin) e disa termave, apo fjalorthi termash kurrikulare, të cilat kanë disa dallime nga të dy anët, Kosovë Shqipëri.

Grupet punuese të MAShT, që janë bartës të këtij procesi, gjatë kësaj punëtorie do të hartojnë edhe planin dinamik të procesit të pilotimit të KKK dhe KB, për vitin shkollor 2014-2015 në 10 shkollat ekzistuese pilote dhe në 114 të tjera që do të përfshihen në këtë proces.

Ndërsa, do të shqyrtohet edhe skema e dinamikës së Institutit Pedagogjik të Kosovës (IPK) për trajnimin e mësimdhënësve shkollave pilot.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.