MASHT

MASH, DKA-TË DHE AKTERËT E TJERË DISKUTUAN PËR PËRGATITJET PËR FILLIMIN E VITIT SHKOLLOR 2020/21

3 Shtator, 2020

03 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka marrë pjesë në takimin që është mbajtur sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, ku kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kolegjiumit të DKA-ve, udhëheqësit e SBAShK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar për përgatitjet për vitin e ri shkollor 2020/2021, pakon e miratuar nga Qeveria e Kosovës, master planin dhe dokumentet tjera përcjellëse për fillimin e vitit shkollor në kushte pandemie.

Ministri Likaj me këtë rast ka thënë se, MASh është e përcaktuar që të bashkëpunojë dhe të gjitha vendimet t’i marrë së bashku me akterët relevantë, duke ditur se vendimet varen nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e Bordit Këshilldhënës për COVID-19.

Ministri Likaj përmendi faktin se, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, ka vizituar edhe një numër të madh të  shkollave në rreth 30 komuna, ndërsa bashkë me SBASHK-un dhe DKA-në në Prishtinë ka vizituar në mënyrë të rastësishme edhe dy shkolla në kryeqytet ku edhe është parë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillim të vitit shkollor. Njëherësh tha se do të vazhdohet me vizita të tjera të kësaj natyre.

Ministri Likaj po ashtu bëri të ditur se, inspektorët e arsimit dhe ata sanitarë, së bashku me DKA-të janë duke i vizituar shkollat për të pasur një pasqyrë të qartë të përgatitjeve për secilën shkollë, ndërkaq foli edhe për ndihmën që USAID dhe UNICEF kanë dhënë në sigurimin dhe shpërndarjen e materialeve mbrojtëse ndaj COVID-19 për një numër të konsiderueshëm të shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve.

Në fund, ministri Likaj theksoi se, MASh po punon intensivisht për të pasur një fillim të mbarë të vitit shkollor 2020/2021 në rrethana të pandemisë.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.