29 Shtator 2020
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Evropian për Evropën Juglindore në Kosovë kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila ka për qëllim institucionalizimin e edukimit financiar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë. Në kuadër të Marrëveshjes është shpalosë edhe koleksioni i librave të Edukimit Financiar për nxënësit e klasave 1-5 të arsimit fillor.
Ndër të tjera, ministri Likaj tha se, përfshirja e edukimit financiar në kurrikulat shkollore do të ndihmojë nxënësit tanë që të jenë më të përgatitur për testin PISA, pasi në këtë test një kapitull i kushtohet pikërisht edukimit financiar.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se BQK përmes programit të saj për edukim financiar synon që të ngritë njohuritë për çështje ekonomike dhe financiare, në menaxhimin dhe shfrytëzimin e duhur të parasë.
Përfaqësuesi i Fondit Evropian për Evropën Juglindore, Christoph Tiskenes, tha se është i lumtur që u nënshkrua kjo Marrëveshje, ndërsa vlerësoi gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për rëndësinë që po i kushton edukimit financiar si mjet themelor për një të ardhme të suksesshme.
Tesktet mësimore janë të përgatitura sipas udhëzimeve të Kornizës së Kurrikulës së Kosovës dhe janë të përgatitura nga ekspertë të fushave kurrikulare, ekspertë të edukimit financiar, ilustratorë, pedagogë dhe psikologë.
Librat janë të përgatitur edhe me zë dhe janë në proces të përgatitjes edhe në gjuhën turke dhe serbe dhe do të shpërndahen në të gjitha shkollat e Kosovës.
Last modified: 8 Qershor, 2022