MASHT

Lansohet projekti i cili ka për qëllim zhvillimin e praktikave të mësimdhënies në Kosovë

8 Shkurt, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në konferencën lansuese të projektit “Avancimi i edukimit bazuar në vlera përmes reformës së politikave të zhvillimit të mësimdhënësve dhe praktikës shkollore (ValuED)”, i cili synon të ndihmojë avancimin e zbatimit praktik të kurrikulës, ku parimet dhe vlerat kyçe si demokracia, qytetaria dhe barazia trajtohen si koncepte themelore.

Ky Projekt do të implementohet nga Universiteti i Prizrenit, MAShTI, Universiteti Graz, Universiteti Ludwig Maximilians (Mynih), KEC, EdGuard, të koordinuar nga Universiteti i Prishtinës.

Ministrja Nagavci me këtë rast theksoi se, fakti që bashkëpunëtorët në këtë projekt përfshijnë universitete të Kosovës dhe OJQ arsimore, si dhe universitete të vendeve mike si Austria dhe Gjermania, është dëshmi e bazës së fortë mbi të cilën ky projekt ka ndërtuar perspektivën e tij.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë e MAShTI për koordinim dhe bashkërendim të hapave që duhen ndërmarrë, duke qenë se projekti është i natyrës strukturore, dhe si i tillë kuptohet që sfidat janë të pashmangshme.

Nagavci tha se, që nga marrja e mandatit të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka vënë theks të veçantë tek zhvillimi profesional i mësimdhënësve, ndërsa bëri të ditur se, në tre vitet e fundit janë trajnuar gjithsej 16,959 mësimdhënës në 172 programe të ndryshme trajnimi dhe po ashtu janë dhënë 5,360 licenca të karrierës.

Nagavci gjithashtu përgëzoi Fakultetin e Edukimit për punën drejt avancimit të mësimdhënësve, por edhe për rëndësinë që i jep bashkëpunimit ndërkombëtar me projekte e nisma, të cilat realizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Për rëndësinë e Projektit që ka për qëllim zhvillimin e praktikave të mësimdhënies folën edhe rektori i UP, Qerim Qerimi, Lucia Parducci nga Zyra e BE-së në Kosovë, dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi dhe rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani.

Last modified: 29 Shkurt, 2024

Comments are closed.