MASHT

24 NXËNËS TË PROFILIT TË ZDRUKTHTARISË NËNSHKRUAN KONTRATA PËR MËSIM NË VENDIN E PUNËS

9 Shkurt, 2024

Janë nënshkruar kontratat e para në mes të 24 nxënësve të klasës së 10-të të Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas dhe përfaqësuesve të 8 ndërmarrjeve të përpunimit të drurit, me qëllim të zbatimit të mësimit dual, i cili këtë vit po aplikohet në 12 profile, në 14 komuna të Kosovës.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Muhedin Nushi dhe Valbona Fetiu Mjeku nga Departamenti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave në mes të nxënësve dhe përfaqësuesve të ndërmarrjeve, në të cilat nxënësit do të ndjekin mësimin praktik.

Këshilltari Nushi, në emër të ministres Nagavci falënderoi ndërmarrjet për gatishmërinë e tyre për të angazhuar nxënësit, ndërsa uroi që nxënësit të përfitojnë sa më shumë dhe të arrijnë të zbatojnë në praktikë mësimet të cilat i marrin në klasë.

Nushi bëri të ditur se, me rastin e nënshkrimit të kontratave, nxënësit krahas zhvillimit të shkathësive në aspektin praktik përfitojnë edhe materialisht, gjithmonë duke kryer suksesshëm punën e tyre.

Ndër të tjera, këshilltari Nushi ka thënë se, Ministria e Arsimit është e përkushtuar në zhvillimin e mekanizmave të cilat nxisin aftësimin e të rinjve për tregun e punës.

Valbona Fetiu Mjeku nga Departamenti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, foli për përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe ministrive të linjës, për të çuar përpara procesin e zbatimit të mësimit dual. Ajo bëri të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave,  kontratat e nxënësve për zbatimin praktik të mësimit, do të hyjnë në Ligjin e Punës, i cili është duke u rishikuar.

Drejtori i ndërmarrjes “Shehu”, Kreshnik Shehu, u shpreh i lumtur që nxënësit janë duke filluar punën praktike në ndërmarrjen që ai drejton, ndërsa tha se kjo është një mundësi e mirë për të dy palët.

Ndërsa, Besart Krasniqi i cili do ta fillojë punën praktike në këtë ndërmarrje, u ka bërë thirrje moshatarëve të tyre që të ndjekin arsimin profesional. Ai tha se kjo praktikë do t’u ndihmoj që të aftësohen në karrierë.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe donatorëve të tjerë, ka lansuar fushatën “Mësimi dual:Mundësi për punësim dhe vetpunësim të të rinjve”, e cila synon të kontribuojë në ndryshimin e perceptimit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, si dhe të nxjerr në pah rëndësinë e AAP-së në zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.

Last modified: 29 Shkurt, 2024

Comments are closed.