MASHT

LANSOHET PAKOJA: MODULET TEMATIKE PËR MBROJTJEN E FËMIJËS

25 Shtator, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (Qendra SIT) kanë hartuar pakon e moduleve ku janë ofruar informacione bazike mbi temat e ndërlidhura me Ligjin për mbrojtjen e fëmijës dhe rolin e shkollës në trajtimin e tyre.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, MAShTI e ka parim kyç sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve nga çdo dukuri negative dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt për ta.

Nagavci tha se, duke parandaluar rreziqet ndaj fëmijëve mund të sigurojmë e zhvillimin e tyre të plotë në aspektin fizik, intelektual, social e emocional, ndërsa shtoi se, pakoja e moduleve që po lasohet sot është në përputhje të plotë me kurrikulat arsimore dhe legjislacionin në fuqi.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci falënderoi të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët vendor dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në finalizimin e kësaj pakoje dhe po ashtu edhe anëtarët e grupit punues për hartimin e suksesshëm të këtyre moduleve.

Drejtori i Qendrës për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (Qendra SIT), Kadri Gashi foli për rëndësinë e këtyre moduleve të cilat synojnë mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet, mbrojtjen nga braktisja e shkollimit, diskriminimi, gjuha e urrejtjes, etj.

Ndryshe, modulet e ofruara brenda kësaj pakoje janë në përputhje me kurrikulat arsimore dhe legjislacionin në fuqi. Pakoja përmban 12 module tematike, të cilave u paraprin kaptina mbi ndërlidhjen me kurrikulat tona arsimore dhe përmbyllet me mundësinë e trajtimit të tyre edhe përmes trajnimit, përfshirë atë me bazë në shkollë.

Last modified: 25 Shtator, 2023

Comments are closed.