MASHT

Kryeministri Thaçi dhe ministri Buja përuruan Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime

1 Shtator, 2014

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, me rastin e 1 shtatorit, fillimit të vitit të ri shkollor, përuruan Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime.

Kryeministri Thaçi, me këtë rast, theksoi se investimi në edukim do të vazhdojë të mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Duke investuar në edukim, investojmë në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, investojmë në rininë evropiane të Kosovës dhe në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit tonë,” është shprehur kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi, po ashtu ka shprehur zotimet e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit në krijimin e një infrastrukture moderne shkollore, zbatimin e reformave në arsim dhe në rritjen e mirëqenies sociale të mësimdhënësve, në gjithë Republikën e Kosovës.

“Edukimi edhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbetet një nga çështjet kryesore që ne do të vazhdojmë të fokusohemi. Ndihem mirë dhe shumë krenar që sot edukimi në Kosovë ka tejkaluar si standard disa vende të rajonit, por qëllimi dhe synimi ynë ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet arritja e standardit evropian”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ministri i Arsimit, z.Ramë Buja, tha se ky objekt krijon kushte për mësimdhënësit dhe nxënësit për të ngritur edhe më tutje cilësinë në arsim.

Ministri Buja theksoi se ky investim i cili kap vlerën afro 2 milionë euro është investim mëse i nevojshëm për krijimin e kushteve të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Duke uruar një vit të suksshëm shkollor, ministri Buja foli edhe për shpërndarjen e librave, si një nga dhuratat më të çmuara për nxënësit dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Arsimit, në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe kushteve për mësim.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, ministri Buja ndau tekstet e Abetares për nxënësit e klasës së parë, në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

“Sot u shpërndajmë abetaret një armate të tërë prej 27 mijë fëmijësh që fillojnë ditën e parë të shkollës, të cilëve ju dëshiroj shumë suksese”, tha ministri Buja.

Duke folur për reformat në arsim, ministri Buja tha se vitin e kaluar është pilotuar Kurrikula e Re në 10 shkolla, ndërsa sivjet do të jenë edhe shumë shkolla të tjera pilotuese.

Ndryshe, sivjet do të vijojnë mësimet mbi 480 mijë nxënës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, ndërsa rreth 27 mijë prej tyre për herë të parë do të ulen në bankat shkollore.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.