MASHT

KRYEMINISTRI KURTI DHE MINISTRJA NAGAVCI NDANË ÇMIMIN “SHABAN JASHARI” PËR MËSIMDHËNËSIT E VITIT

8 Mars, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në kuadër të manifestimit qendror të shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kanë ndarë çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësit: Arbnora Gashi Ahmetaj nga Sh.F.M.U  “Trepça” në Istog, Nysret Zeka nga Sh.F.M.U “Ibrahim Rugova” në Obiliq, Selvete Mujaj nga Sh.F.M.U “Faik Konica” në Prishtinë dhe Sadik Popaj nga Sh.F.M.U “Sapniqi” në Rahovec.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e mësimdhënësve në procesin edukativo-arsimor. Ai tha se nuk ka çmim dhe vlerësim më të drejtë për mësuesin, nëse çmimi nuk mbanë një emër që ta ketë kryer këtë funksion.

Kurti tha se, emri i çmimit që do të ndahet sot është një emër i lartë, ndërsa shtoi se mësuesi Shaban Jashari, është mësuesi që e ka shpalosur më së miri shtyllen dialektike, të shndërruar në urë që lidhë dhe mbanë dijen dhe autoktoninë.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj theksoi se, Ministria e Arsimit është thellësisht e përkushtuar për krijimin e kushteve të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë, me ç’rast ka përmendur veprimet të cilat janë ndërmarrë sa i përket kompletimit të bazës ligjore, e cila çon në përmirësimin e gjendjes në arsim dhe avancimin e mësimdhënies në Kosovë, duke i dhënë rëndësi të veçantë trajnimit dhe avancimit të mësimdhënësve.

Ministrja Nagavci ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit për punën dhe përkushtimin e tyre në arsimimin e brezave të rinjë, duke thënë se puna e tyre nuk do të mbetet e padëshmuar dhe e pavlerësuar dhe duke u zotuar se mësimdhënësit do të kenë mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë, në përmbushjen e misionit të tyre fisnik.

Nagavci ka falënderuar shkollat për punën që kanë bërë në përzgjedhjen e mësuesit të dalluar në kuadër të shkollave, Drejtoritë Komunale të Arsimit për vlerësimin e mësimdhënësve në nivel të komunës dhe zyrtarët e Ministrisë për finalizimin e këtij procesi.

Mësimdhënësja, Selvete Mujaj nga Sh.F.M.U “Faik Konica” në Prishtinë pas marrjes së çmimit tha se ndjehet e emocionuar njejtë sikurse në ditën e parë të punës së saj si mësuese, ndërsa falënderoi MAShTI-n që ka përzgjedhur atë në mesin e katër mësuesve të vitit.

Në ceremoninë solemne të shënimit të Ditës së Mësuesit, ministrja Nagavci bashkë me zëvendësministrin e Arsimit Kelmendi ndanë mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci kanë takuar një grup të mësimdhënësve veteranë, me të cilët kanë bashkëbiseduar për rëndësinë e kësaj feste kombëtare, për misionin human dhe të veçantë të mësuesit, në veçanti për punën e tyre në rrethana aspak të lehta dhe tejet sfiduese.

Ministrja Nagavci bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po ashtu kanë pritur në takim një grup të mësuesve, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për punën dhe kontributin e tyre të madh.

Last modified: 8 Mars, 2024

Comments are closed.