MASHT

Kryeministri dhe zëvëndësministri Kelmendi vizituan qendrën “Infinit”

12 Shtator, 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi vizituan Qendrën e Trajnimeve “Infinit”. Me këtë rast, kryeministri ndau certifikatat mirënjohëse medalistëve të Olimpiadës Ndërkombëtare STEM që u mbajt në Paris të Francës.

Kryeministri Kurti tha se si asnjëherë më parë, MAShTI e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në fushën STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe mbështetja për to ka qenë 1382 bursa për studente vetëm në vitin 2022.

“Në prill të këtij viti Ministria ka mbajtur konferencën e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, të quajtur STEMinists, ku i ka bashkuar dhjetëra studente, profesoresha, shkencëtare e profesioniste kosovare të fushave STEM, të cilat operojnë në Kosovë dhe në botë. E organizuar nën patronatin e Zyrës sime, kjo konferencë ishte përmbushje e premtimit të Qeverisë sonë për stimulimin dhe promovimin e vajzave dhe grave në STEM. Aty u krijuan edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave e grave në këto fusha dhe për mundësinë për punë praktike në mentorim dhe zhvillim profesional”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se në Kosovë janë rreth 1500 kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit dhe se shumica dërmuese e tyre eksportojnë shërbime, derisa theksoi në këtë fushë i kemi 20 mijë profesionistë.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, tha se fakti që nga 22 shtete pjesëmarrëse dhe 440 nxënës, nxënësit tanë, të shkollave “Hasan Prishtina”, “Iliria” “Qamil Batalli” dhe “Maarif” që për herë të parë morën pjesë në këtë garë, arritën të fitojnë gjithsej 14 medalje, prej tyre pesë të arta, tri të argjendta, pesë të bronzta dhe një medalje nderi, është vërtetë sukses i madh për të gjithë ne.

Ai theksoi se rritja e buxhetit dhe fokusit në fushat STEM do të jetë progresive dhe e njëjta parashihet edhe në Strategjinë tonë për Arsim 2022-2026. Po ashtu, tha se nga ky muaj kemi listuar lëndën e Kodimit si lëndë zgjedhore nga klasa e parë e arsimit fillor publik.

Në mesin e 22 shteteve pjesëmarrëse, nga pesë kontinente, në lëndët e matematikës, shkencës dhe kodimit, në Olimpiadën STEM që u mbajt në Paris në korrik të këtij viti, me medalje ari u stolisën: Arijon Syla, Kron Selmanaj, Kushtrim Kajoshi, Emir Lezi, Ron Shllaku. Me medalje argjendi: Jona Kuka, Sara Çavota, Erta Tejeci. Medale të bronztë morën Gerti Kida, Fron Isufi, Fron Korqa, Fatbardh Mulaku, Leoart Morina, kurse Omar Gashit iu nda medalje nderi.

Kryeministri Kurti dhe zëvendësministri Kelmendi, po ashtu zhvilluan një takim me Ushtruesin e detyrës së Ambasadorit të Katarit në Kosovë dhe në Shqipëri Abdulaziz El Sehl, Drejtorin e Organizatës Qatar Charity, Esam Dabab, dhe përfaqësuesin e Qatar Charity nga Katari, Nawaf Al Hamadi me të cilët u diskutuan mbi mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit.

Last modified: 12 Shtator, 2023

Comments are closed.