MASHT

KQSHM BËRI TË DITURA VENDIMET PËR MASAT NDAJ SHKELËSVE TË RREGULLAVE TË PROVIMIT TË MATURËS SHTETËRORE

6 Qershor, 2015

Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQShM), ka publikuar sot vendimet mbi sanksionet për keqpërdoruesit e administrimit të Provimit Shtetëror të Maturës, si dhe maturantët, të cilët nuk i kanë përfillur rregullat dhe udhëzimet për Maturën.

Kryetari i KQShM-së, z. Azem Guri ka bërë të ditur se Komisioni, në mbledhjen e mbajtur më 9 qershor 2015, sipas raporteve zyrtare nga terreni, analizoi procesin e pjesës së parë (afati i qershorit), të administrimit të Provimit të Maturës.

KQSHM, gjatë kësaj mbledhje e ka vlerësuar të suksesshëm organizimin e këtij testimi për maturantët, ndërsa ka marrë disa vendime për shkelësit e rregullave: arsimtari Bujar Abdullahu – administrues në shkollën e mesme “Fehmi Agani” në Klinë, arsimtari Arsim Ajvazi – administrues në shkollën e mesme “Frank Bardhi” në Mitrovicë, si dhe arsimtari Fahredin Haxhimusa – mbikëqyrës në shkollën e mesme “Abdullah Shabani” në Mitrovicë.

Z. Guri bëri të ditur se për këta arsimtarë, KQShM ka marrë vendim që të inicohen procedura të sanksioneve dhe masave disiplinore. Me këtë rast, KQSHM ka obliguar Departamentin e Inspeksionit të Arsimit në MAShT, të marrë vendim të menjëhershëm për shqiptimin e dënimit për shkelësit e rregullave, si dhe ka udhëzuar drejtoritë komunale për arsim në cilësi të punëdhënësve, të inicojnë procedurën e masave disiplinore sipas shkallës së cënimit të ligjit dhe obligimeve të marrëdhënies së punës.

Kryetari i KQShM-së tha se për personat komunikues në rrjetet sociale do të merren këto masa:
1. Nëse konstatohet se janë maturantë, do të iu anulohet afati i qershorit dhe do të zbatohet ndalesa për një vit pamundësi që t’i nënshtrohen Provimit të Maturës.
2. Nëse konstatohet se janë qytetarë (jo nxënës), do të procedohet kallëzim penal në organet kompetente.
3. Nëse konstatohet se janë administrues, mbikëqyrës apo komisionerë, do të procedohet masa e sanksioneve, sipas legjislacionit në fuqi.

Komsioni Qendror Shtetëror i Maturës do të vazhdojë të analizojë edhe më tutje procesin dhe sipas të gjeturave do të marrë edhe masa të tjera në përputhje me shkallën e cënimit të Ligjit.

Last modified: 27 Maj, 2022

Comments are closed.