Këshilli i ekspertëve për programe dhe tekste shkollore, (KEPTSh) ka organizuar punëtorinë tre ditore për finalizimin e dokumenteve për tekste shkollore, kryesisht finalizimin e konkursit për tekstet shkollore dhe udhëzimin për recenzentët.
Në këtë punëtori po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë (MAShS) dhe Instituti për Zhvillimin e Arsimit (IZhA) në fushën e përzgjedhjes se teksteve për gjuhët e huaja: gjuha angleze, gjermane dhe franceze.
Ferim Gashi, kryesues i KEPTSh-it, me këtë rast theksoi se, MAShT është duke e bërë finalizimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me përzgjedhjen e teksteve të reja, tekste këto që planifikohen të hyjnë në përdorim në shtator të vitit 2019.
Tatjana Vuçani, specialiste në Drejtorinë e Zhvillimit të Programeve të Arsimit Parauniversitar në MAShS-së, gjatë fjalës së saj tha së në Shqipëri ka pasur shumë alternativa për përzgjedhjen e teksteve sa i përket gjuhëve të huaja, asaj angleze, gjermane dhe franceze. Ajo theksoi se duke u nisur nga shumësia e teksteve, ka pasur mundësi që të bëhet përzgjedhja më e mirë dhe më e duhur për t’iu ofruar nxënësve cilësi.
Në fund, u theksua se bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është i mirëseardhur dhe ndihmon shumë për mënyrën se si bëhet përzgjedhja e teksteve të gjuhëve të huaja.
Last modified: 24 Gusht, 2022