MASHT

KËRKOHET UNIFIKIM I SHKOLLAVE SHQIPE NË DIASPORË

25 Maj, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci ka zhvilluar sot një takim virtual me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), ku është diskutuar për hartimin e teksteve unike për shkollat shqipe në diasporë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci the se do të angazhohet që pas këtij takimi të vendoset bashkëpunim institucional, me synimin për ngritje të cilësisë për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në mërgatë.

Ministrja Nagavci e njoftoi kryesinë e KKAD-së se, Kosova dhe Shqipëria tashmë kanë formuar një grup punues për hartimin e teksteve të gjuhës shqipe, duke e vlerësuar këtë një hap të rëndësishëm për hartimin e teksteve cilësore, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për ngritje të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Ministrja Nagavci gjithashtu u shpreh e gatshme për të trajtuar kërkesat e mësimdhënësve në diasporë dhe për të ndihmuar ata që të bëjnë më të mirën për fëmijët në mërgatë.

Përfaqësuesi i KKAD-së, Vaxhid Sejdiu me këtë rast e ka informuar ministren rreth zhvillimeve të organizimit të shkollës shqipe në mërgatën shqiptare dhe gjendjen aktuale të shkollave shqipe, ndërsa theksoi se pas shume viteve veprim dhe aktivitet në mërgatë është e rëndësishme që të unifikohen shkollat shqipe, me qëllim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.