MASHT

OSBE DO TË VAZHDOJË TË MBËSHTESË SEKTORIN E ARSIMIT

24 Maj, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, priti sot Ambasadorin Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, me të cilin bisedoi për gjendjen në arsim dhe prioritet për ta përmirësuar dhe zhvilluar sistemin arsimor në të gjitha nivelet.

Ministrja Nagavci foli për vendimet të cilat ndërlidhen me çështje të rëndësishme, si dhe mbështetjen e disa proceseve, me theks te veçantë  tekstet shkollore në gjuhën turke dhe boshnjake, procesin e përzgjedhjes së recensentëve për tekstet e reja shkollore, vendimin për mësimin plotësues për nxënësit të cilët kanë ngecur në mësim si pasojë e zhvillimit të mësimit në kushte të pandemisë, etj.

Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e Kamenicës, për të cilën ministrja Nagavci theksoi obligimin kushtetues që çdo fëmijë të realizojë të drejtën për shkollim dhe tha se, aktualisht në këtë komunë janë më shumë se 440 fëmijë të cilët janë privuar nga kjo e drejtë.

Ministrja Nagavci falënderoi shefin e OSBE-së në Kosovë për punën që ka bërë nëpër vite kjo organizatë, ndërsa e informoi atë me programin e Qeverisë së Kosovës për sektorin e arsimit, për realizimin e të cilit është shumë e rëndësishme mbështetja e partnerëve zhvillimorë.

Ambasadori Davenport theksoi edhe një herë gatishmërinë e kësaj organizate për të ofruar mbështetje për procese dhe aktivitete të ndryshme, që kanë si synim ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.