Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për medie, ka bërë të ditura rezultatet e afatit të parë të provimit të Maturës Shtetërore 2019, sipas të cilave nga 27.081 maturantë që i janë nënshtruar provimit, kanë kaluar 17.504, ose 64.64 përqind.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2019/07/ministri2.jpg)
Ministri Bytyqi, me këtë rast, falënderoi Komisionin Shtetëror të Maturës (KShM), për të cilin tha se ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këtë periudhë, e po ashtu edhe të gjithë akterët e angazhuar në mbarëvajtjen e Provimit të Maturës.“Është një lajm i mirë se, këtë vit kemi një test të maturës, i cili është më i suksesshmi, sa i përket monitorimit dhe mbarëvajtjes së tij”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se kjo ka bërë që të kemi edhe rezultate më të ulëta në krahasim me vitin e kaluar, kur kalueshmëria ka qenë 73.26 përqind.Ministri Bytyqi foli edhe për masat që janë marrë nga ana e KShM për të gjithë ata që kanë shkelur rregullat e përcaktuara nga ky Komision. Në këtë drejtim, janë përjashtuar nga testi 270 nxënës për shkak të përdorimit të telefonave, ndërsa në qendrën e testimit në shkollën Don Bosko në Gjilan, për klasën XII-a do të përsëritet pjesa e parë e testit më 3 korrik 2019, për shkak se është vlerësuar se ka pasur kopjim gjatë testit.Sa i përket masave që janë marrë ndaj administruesve që nuk i kanë respektuar rregullat, 5 administrues janë dënuar me mosushtrim të përhershëm të kësaj detyre dhe me kundërvajtje 300 euro gjobë dhe 3 të tjerë me mosushtrim të përhershëm të detyrës në testin e maturës.Ministri Bytyqi, po ashtu, theksoi faktin se sot janë shpërndarë certifikatat falas nga ana e MAShT për të gjithë maturantët, të cilët e kanë kaluar Provimin e Maturës.Në afatin e parë të provimit të Maturës Shetërore 2019, kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe është 64.40 pëqrind, në gjuhën boshnjake 85.43 përqind dhe në gjuhën turke 69.47 përqind.
Last modified: 9 Qershor, 2022