MASHT

Intervistë me ministrin e Arsimit, Ramë Buja dhënë për gazetën “Tribuna Shqiptare”

6 Janar, 2012

Ministri muskuloz

Nt: Njihet si politikani me trupin më muskuloz në Kosovë. Thotë se një kohë të konsiderueshme ia kushton trupit, ndërsa është simpatizues i madh i librit. Edhe pse thotë se ka qenë shumë fëmijë i disiplinuar, një herë i ka ndodhur që të marrë njësh edhe në sjellje. Në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, ministri i Arsimit, Ramë Buja tregon për emocionet që ka pasur gjatë takimit të parë me gruan e tij të tashme, Fatimen. Thotë se asnjëherë nuk ka marrë asnjë shuplakë as nga babai e as nga mësuesi, të cilin e kujton me dashuri. I pëlqen hendbolli, ndërsa thotë nuk ‘ka lidhje’ me futboll

Tribuna Shqiptare: Si i kujtoni ditët e para në shkollë?

Ministri Buja: Fillimi i shkollës ka qenë interesant. Tash, po u tregua del si tregim i pazakonshëm. Shkolla ime nuk ndodhej në fshatin tim dhe si gjashtëvjeçar me duhej të udhëtoja 6 kilometra për të shkuar në shkollë, njëjtë edhe për t’u kthyer. Shkolla ishte në Grackë, që banohej me malazezë. Nuk kam pasur çantë të blerë, por nëna ime më kishte bërë një çantë nga një bez i kuq, ndërsa fletoret dhe librat i bëmë më vonë, pasi ishte e vështirë për t’i blerë në ditët e para. Në ato kushte, megjithatë kam arritur të jem nxënës i mirë, të paktën kështu më kanë thënë. Pra, katër vjet i kam përfunduar në Grackë të malazezve, ndërsa katër vite të tjera, i kam përfunduar në Korishë, fshat i cili ka qenë pranë fshatit tim. Pastaj kam vazhduar Shkollën e Mesme Teknike, edhe pse nuk e kam dashtë hiq Tekniken. Si fëmijë dëshiroja shumë që të bëhesha doktor, por shyqyr që nuk m’u ka realizuar ëndrra, mirëpo si të rinj na pëlqenin doktorët, të cilët dukeshin si zotni me mantele të bardha. Në fakt për shkak të pamundësisë për të shkuar në një shkollë në ndonjë qytet tjetër, u përqendrova në Lipjan në Shkollën e Mesme Teknike të Makinerisë.

Tribuna Shqiptare: Çfarë nxënësi keni qenë?

Ministri Buja: Në vitin e dytë të shkollës së mesme, mora çmimin si nxënësi më i mirë i dy qendrave shkollore të mesme, Gjimnazit dhe Teknikes. Pa marrë parasysh që si zanat nuk e doja fort, u përcaktova që të mësoj, por kisha edhe një detyrë tjetër atëherë, që edhe gjashtë vëllezërit dhe tri motrat që ishin pas meje, t’i motivoja për të mësuar. Pastaj regjistrova Fakultetin Ekonomik dhe filozofikun në të njëjtën kohë, ndërsa kisha dy vjet që isha në ilegalen e atëhershme. Nuk e kisha ndjenjën që do t’i përfundoja të dyja fakultetet, por e kisha atë synimin që të krijoja përshtypjen tek pushtuesi që ky djalë nuk njeh gjë tjetër përveç shkollës. Megjithatë na ranë në fije dhe dymbëdhjetë ditë para se të diplomoja në Fakultetin Filozofik, dega e Letërsisë më burgosën për t’i vuajtur gjatë vjet në burg. Ndërsa në Fakultetin Ekonomik më kishte mbetur viti i katër, pa e mbaruar, por të cilin e mbarova pas lirimit nga burgu. Jam burgosur më 12 janar 1984, ndërsa jam liruar më 12 janar 1990. Ka një koincidencë që dua ta përmend, më 12 janar jam burgosë, më 12 janar jam liruar, më 12 janar gjashtë vjet më vonë, më ka lindur vajza, pra janë tri data pak të çuditshme. Pastaj kam regjistruar drejtimin administrativo-politik, në të cilin kam magjistruar, ndërsa në shkencat politike, kam doktoruar. Kjo është rruga ime shkollore. 
Nuk po them që kemi qenë skajshmërisht të varfër, mirëpo në mesin e atyre familjeve të cilat kanë qenë mesatarisht të pasura, por edhe me telashe të natyrave që i kishte koha. Babai ishte murator dhe me atë mjeshtri e mbante tërë familjen. Kështu që ne ishim shumë fëmijë dhe ai ishte në hall me punë për të na mbajtur neve. Megjithatë ia dolëm që të gjithë të mbijetonim dhe të shkolloheshim, për çudi edhe luftën ta kalonim dhe të mos të pësonim, pavarësisht se jam i plagosur në gojë. Janë gjëra që i përcakton dikush tjetër, e jo njerëzit dhe sot për habi jemi të gjithë gjallë, shtatë vëllezër dhe tri motra, të gjithë të martuar dhe të gjithë kemi fëmijë.

Tribuna Shqiptare: A bëheshit nervoz kur ju duhej t’i ndërprisni lojërat e ndryshme për t’u bëre gati për shkollë?

Ministri Buja: Për çudi që nga fillimi kam pas pasion për librin të cilin me asgjë nuk e kam ndërruar. Edhe kur i kam ruajtur kafshët e kam shfrytëzuar kohën duke marrë librin me vete për të lexuar qoftë ndonjë përmbledhje poezish apo libra të lekturës shkollore. Ky ves me ka mbetur edhe tash dhe në mënyrë permanente edhe tani kur më shkon një javë pa e lexuar së paku një përmbledhje të poezive, ndihem keq. Nuk jam ankuar ndonjëherë se pse m’u ndërpre loja, bile ma kujton nëna tash, e cila më thotë se kam qenë fëmijë i disiplinuar, ndryshe nga të tjerët. Gjithmonë e kam pyetur nënën, a të dal të luaj me fëmijë, gjë që nuk ka ndodhur nga fëmijët e tjerë.

Tribuna Shqiptare: A ju kujtohet vjersha e parë që e keni recituar para mësuesit dhe si jeni ndier?

Ministri Buja: Nuk më kujtohet vjersha e parë, por e di që e kam pas një mësues që po ta shikosh nuk ka pasur ‘dokë’, por ishte një mësues shumë i pjekur, serioz, të cilin e kam dashur shumë e të cilin e kujtoj me shumë dhimbje, pasi që nuk jeton më. E kam respektuar tepër dhe kur ka qenë ai prezent, mua m’u ka marrë goja nga respekti që kam pas ndaj tij. Sepse na ka mësuar në një mënyrë që mendoj se janë të paktë ata mësues që dinë të mësojnë në atë mënyrë aq pedagogjike, siç ka ditur Ali Ymeri të na mësojë neve. Pasi ishim në një fshat, i banuar tërësisht nga serbë e malazezë dhe ne që shkonim nga fshatrat tjera, kishim një trajtim të veçantë nga ai dhe përkushtimi, kujdesi i tij ka qenë diçka që unë e mbaj gjithmonë mend.

Tribuna Shqiptare: Pavarësisht kësaj, a ka ndodhur t’iu rrah ndonjëherë?

Ministri Buja: Jo, nuk ka ndodhur. Bile është e çuditshme, por nuk ka ndodhur të më rrahin as nëna as babai e as mësuesi. Gjithmonë jam përpjekur të jem i disiplinuar në shkollë dhe në familje, por heretik kam qenë me pushtuesin më vonë.

I disiplinuari që ka marrë njësh në sjellje


Tribuna Shqiptare: A ju ka ndodhë që të shkoni i papërgatitur në shkollë për ndonjë lëndë?

Ministri Buja: Po si jo. Më ka ndodhur që të shkoj i papërgatitur në shkollën fillore në të mesmen, por edhe në fakultet. Ja se çfarë më ka ndodhur gjatë studimeve. Kam shkuar në provim i papërgatitur fare, pasi tanë natën kisha shpërndarë fletushka nëpër Prishtinë, ndërsa pak para mëngjesit, kam shkuar në banesë për të pushuar, pasi në orën nëntë kisha provim me gojë në pedagogji. Ky provim ishte kusht për të dalë në vitin e katër. Unë kisha një njohuri të përgjithshme për pedagogjinë, por në asnjë mënyrë nuk isha i përgatitur për provim. Hyra në provim, e mora testin me pyetje dhe fillova të shkruaj menjëherë. Por nuk shkrova për temën, mirëpo vetëm kam shkruar pa u ndalur, në mënyrë që profesori të më sheh që unë po shkruaj dhe të bindet që jam përgatitur. Pasi mbarova konceptin që bëra, profesori më pyeti nëse isha i gatshëm për t’u pyetur më gojë, ndërsa unë ia ktheva natyrisht që po. Edhe ma bëri pyetjen e parë, ndërsa unë fillova të flas nga e përgjithshmja. Pasi e mbarova përgjigjen ai ma ktheu se ishte i kënaqur, por jo aq sa kishte pritur, megjithatë kaloi në pyetjen e dytë. Kjo pyetje ishte më e lehtë për mua, për të cilën e dhashë një përgjigje, e cila i pëlqeu profesorit. Edhe në pyetjen e tretë ashtu t’u e pështjellë disi e përfundova. Ndërsa profesori ma tha desha me ta vënë dhjetë, por nuk je për nivelin dhe dhjetëshes dhe këtë herë e ke nëntë. E çka është e vërteta, unë do të kënaqsha shumë edhe po të më jepte gjashtë, pasi ishte provimi për kusht. Kjo ka qenë një nga rastet që kam shkuar i papërgatitur dhe e kam kaluar provimin, ndërsa më pas duke i kërkuar falje profesorit i kam treguar se s’kam qenë fare i përgatitur.

Tribuna Shqiptare: A ju ka ndodhur ndonjë ngjarje tjetër interesante në fakultet?

Ministri Buja: Një fakt interesant më ka ndodhur kur jam pyetur në lëndën e estetikës, të ligjëruar nga akademik Rexhep Qosja. Një njeri i UDB-së me ka përcjellë nga stacioni i fshatit tim gjerë te salla e provimit. E vërejta që po më përcjell dhe për t’i humbur adresë, unë shkova deri te Kodra e Trimave. Mirëpo, kur shkova te salla ku me priste profesor Qosja, e gjeta atë aty brenda në sallë. Prania e tij në sallë ishte e rëndë për mua, megjithatë u përgjigja shumë mirë duke marrë 10, pasi estetiken e kisha shumë për qejfi. Profesori në fund më tha se nuk ishte shumë i kënaqur më përgjigjet. Pas gjatë vitesh i pata treguar profesor Qosjes për presionin që kam pasur gjatë atij provimi. Profesori u befasua. Edhe në shkollë të mesme, ndonjë herë më ka ndodhur që të shkoj i papërgatitur, por jo shpesh.

Tribuna Shqiptare: A keni marrë notë të dobët ndonjëherë?

Ministri Buja: Kam marrë njësh në sjellje. Në vitin e katër, siç ishte në modë atëherë, bleva një komplet farmerka me jelek dhe flokët i kisha shumë të gjata, pasi më pëlqenin t’i mbaja ashtu. Njëherë vendosëm me e zgjedhë kryesinë e klasës, ndërsa kujdestar klase ishte Sylë Kuli nga Istogu, edhe ai i kishte flokët shumë të gjata. Ai kërkoi nga kryesia e klasës që të propozohej dikush për kryetar dhe të gjithë e përmenden emrin tim. Profesori pyeti kush është Rama, u zgjova unë, ndërsa ai me tha a ti mangup, a kujdestar klase, reagimi i tij ishte pasi unë i kisha flokët e gjata, ndërsa i ktheva se nuk isha mangup, duke i thënë se edhe ai i kishte flokët, edhe më të gjata sesa unë. Për këtë më largoi nga klasa duke ma shënuar notën njësh në sjellje. Në dëftesën e vitit të katër, në të gjitha lëndët kisha pesa, ndërsa aty kisha tresh në sjellje.

Tribuna Shqiptare: A ta kanë thirrur prindin ndonjëherë?

Ministri Buja: Prindin nuk ma kanë thirrur asnjëherë, pasi babai me pati thënë një fjalë, e cila çdoherë mu sillte nëpër mendje “Bir, mëso dhe nëse mëson dhe arrin sukses, i shes shpi e tokë e nuk e la pa ju shkolluar, por mos prit që të vi në shkollë, sepse nuk kam kohë, sepse duhet me ju siguru bukë”. Kjo më është kujtuar çdo herë dhe nuk ka pasur nevojë që të ma thirrin ndonjëherë prindin, sepse kam qenë shumë i disiplinuar.

Tribuna Shqiptare: Si i ka qenë stili me farmerka që e përmendet, apo cili ka qenë qëllimi që jeni veshur ashtu?

Ministri Buja: Ashtu jam veshur me një qëllim, pasi në vitin e dytë jam kyçur në ilegale. Me pëlqenin farmerkat, por u thosha shokëve të ilegales se po vishem kështu për t’u kamufluar, por nuk ishte kjo. Mua më pëlqente të vishesha ashtu, sepse merresha me sport dhe me rrinin mirë ato virane. Mirëpo para shokëve të ilegales u arsyetoja që po vishem për me u kamuflu, sepse do shokë të ilegales visheshin me pantallona me vi me do kasketa që t’u përngjanin do personave të lëvizjeve guerile, por unë nuk doja t’u përngjaja atyre. Sylë Kuli ma ka thyer notën e sjelljes, por tash edhe ai ndien keqardhje pse ka ndodhur kjo, por ka ikur ajo punë.

Tribuna Shqiptare: Në kohen e shkollës së mesme zakonisht vijnë edhe simpatitë e para. A keni pasur simpati në këtë kohë?

Ministri Buja: Po flas shumë hapur. Kështu flas edhe me gruan, sepse e kam shumë shok, përveç që e kam edhe bashkëshorte. Është e pamundur që mos të ketë ndodhur kjo, por ne e kemi pasur një problem, sepse Shkolla e Mesme Teknike për katër vite shkollimi ka pasur vetëm një femër dhe nuk kishim kujt t’ia falnim dashninë. Ajo vajzë ka qenë shumë e lazdruar dhe nuk më ka ngjallur asnjëherë as ndjenjën e simpatisë për ta parë e lëre më për të pasur diçka më shumë. Mirëpo pasi e përfundonim ndërrimin e paradites, vinin femrat e Gjimnazit, pasdite dhe aty ne i “kullosnim” sytë. Mirëpo ne që ishim pjesë e ilegales, nga edukata që merrnim na e pamundësonte në njëfarë forme që të merreshim me ato ndjenja. Kur e shikonim ndonjë qift duke u ledhatuar i thoshim njëri-tjetrit, shiko këtë idiotin nuk ka punë më serioze, pasi atdheu është në robëri, ndërsa ai del me femra. Kur shkova në burg e kuptova që nuk kishte qenë mirë, pasi isha vonuar në këtë drejtim. Por kur isha në vitin e katër, njoha gruan time, Fatimen. Ishte çudi që ajo punonte në Gjykatën e Lartë atëherë, ndërsa unë në ilegale, kjo ishte një s’përputhje, por edhe këtu doja të kamufloja veprimtarinë time ilegale.

Tribuna Shqiptare: Si u njohët me Fatimen?

Ministri Buja: Një shok i imi më dërgoi në mënyrë ilegale për të pirë kafe në Gjykatën Supreme, te kushërira e tij, e cila do të bëhej nusja ime pastaj. Si e pashë unë ‘rashë’ i tëri. Edhe tani për çudi e kujtoj atë veshjen e saj kur u patëm takuar në vitin 1982. Ajo kishte një fustan me shumë lule të ndryshme, shumë të imëta dhe me shumë ngjyra. Kishte flokë të zeza dhe mua “çoroditi” bukuria e saj. Pasi dola nga aty, ai shoku që më kishte dërguar aty e kishe pasur qëllimin për të më njoftuar me të, por unë nuk e dija dhe e pyeta se çfarë e ka atë gocën. Ai ma ktheu se e ka të familjes dhe më pyeti mua nëse më pëlqeu, unë ia ktheva jo vetëm të pyeta, nuk ia thash që më kishte magjepsur. Por ai prapë insistoi që nëse më kishte pëlqyer do të më ‘ndreqte punë’, mirëpo nuk pati nevojë, pasi unë dy ditë me vonë e mora në telefon. I thashë, çika e mirë a ka mundësi me dalë me pi një kafe me mua jashtë gjykatës. Dhe kështu dolëm dhe filloi e gjitha.

Tribuna Shqiptare: A keni dalë në ndeja në atë kohë?

Ministri Buja: Jo, asnjëherë. E vetmja ndejë që kemi bërë me nusen time ishte kur shkonim në park të qytetit. Aty uleshim në ato ulëset dhe nganjëherë ia qitsha dorën krahëqafe. Asgjë më shumë. Pastaj u fejuam më 4 dhjetor 1983, pas një muaji mua më burgosën. Ajo vendosi të më presë. Është interesant se kur isha në burg e kam pa një ëndërr me shumë se 100 herë, sikur ajo kishte lidhur gërsheta dhe vinte drejt meje dhe në momentin që doja t’i afrohesha, ëndrra ikte. Kjo ndoshta ndodhte edhe nga ajo ndjenja, sepse na kishin munguar takimet.

Tribuna Shqiptare: A keni pasur takime në burg?

Ministri Buja: Ajo shpesh ka ardhur të më takojë, por na ndanin grilat e burgut dhe njëherë me pati thënë diçka që më pati renduar shumë, ‘Ramë a të shkoj në familjen tënde’ që i bije të martohet pa burrë. Kjo ishte shumë e rëndë për mua. Një gjë tjetër që dua ta tregoj është se pasi më dënuan tetë vjet, i shkrova nga burgu duke i thënë: Fatime ti je një vajzë shumë e mirë dhe meriton një burrë të mirë. Unë nuk dihet a do të dalë gjallë nga burgu apo jo. Të lutem më kupto drejt dhe më fal për këtë ‘lidhje këmbësh’ që të bëra me fejesën, por ti kërko një djalë, sepse e meriton një djalë shumë të mirë. Mirëpo, një shok i burgut të cilin e kisha në dhomë me kërkoi që mos t’ia dërgoj letrën, pasi do ta lëndoja shumë, por unë ndieja përgjegjësi shpirtërore dhe morale pasi nuk mund të rrija i qetë. Edhe ashtu ndodhi. Letra ime e kishte lënduar shumë dhe në vizitën e ardhshme të vetmen fjalë që ma tha ka qenë ‘Ramë kaq besim nuk kam pasur mundësi të fitoj te ti sa mos të guxosh të mi thuash këto fjalë”. Ndërsa unë stepa, nuk kisha fjalë. Më vonë i thashë se nuk është punë mosbesimi, por është punë e besimit të madh që kam dhe për këtë kam marrë guximin dhe të them që ta gjesh një fat tjetër, sepse nuk e di si do të përfundojë kjo. Ky ishte një moment i rëndë, por që fatmirësisht përfundoi mirë.

Tribuna Shqiptare: A keni ndonjë ngjarje interesante që ju ka mbetur në kokë nga shkolla e mesme?

Ministri Buja: Gjatë shkollës së mesme mund të takoj vetëm ato ndërrimet e librave të ilegales, ato kanë qenë gjërat më interesante. Nuk kemi pasur parti, tubime. Edhe organizmi i ilegales ka qenë pak i ngurtë. Ne kemi qenë një treshe në komunën e Lipjanit të cilën e patëm quajtur edhe treshen “rrezja” dhe çdo dy javë kemi pasur për obligim që të lexojmë një vepër filozofike në mënyrë që pastaj t’ia komentonim grupit. Secili nga ne e kemi pasur këtë obligim dhe kjo ndikonte që mos të kemi kohë për ta shijuar rininë.

Tribuna Shqiptare: Në atë kohë a i shkruanit poezi, apo i këndonit serenata ndonjë simpatie?

Ministri Buja: Poezi kam shkruar. Ndodh që edhe tash krijoj, por nuk kam botuar poezi. Edhe Fatimes i kam thurur ndonjëherë poezi, por jo serenatë. Kitarën e kam dashtë gjithmonë, mirëpo nuk kam ditë të luajt me të.

Tribuna Shqiptare: Njiheni si ‘billder’, sa kohë i kushtoni trupit tuaj?

Ministri Buja: Ushtroj fitnes, por nuk njihem si billder. Kam qenë kryetar i federatës së bodybuildingt të Kosovës para luftës. Nga viti 1976 kur jam futur në ilegale, kurrë nuk e kam lënë gjimnastikën dhe ushtrimin, kjo më ka bërë shumë mirë, pasi gjatë luftës kam qenë në kondicion të shkëlqyeshëm dhe kurrë nuk e kam pasur hallin e lodhjes. Në fakt asnjëherë nuk kam bërë ushtrime për garë, sot fizikisht ndihem shumë mirë për arsye të këtij aktiviteti që kam pasur gjatë tërë jetës.

Tribuna Shqiptare: Këtu te ne, Halil Budakova njihet si njeri i fortë, a e keni takuar ndonjëherë?

Ministri Buja: Halilin mund ta takoj kur të doni, nuk është problem fare (qeshet).

Tribuna Shqiptare: A jeni i gatshëm edhe për Luan Krasniqin?

Ministri Buja: Luanin e kam takuar në një ndejë. Kemi folur shumë miqësisht, por nuk i kemi provuar grushtet.

Tribuna Shqiptare: Cila ka qenë loja juaj e preferuar?

Ministri Buja: E pëlqej shumë hendbollin, por nuk kam qenë shumë aktiv në lojëra. Tani djemtë janë bërë goxha tifozë të flaktë të Barcelonës, ndërsa unë dhe futbolli jemi larg. Futbollin kurrë nuk kam ditë me luajt edhe kur kam luajtur nuk kam ditë të shënoj gol dhe në jetën time asnjëherë nuk kam shënuar gol. Dua ta them edhe një fakt, i kam bërë gjatë vjet burg, ndërsa asnjëherë nuk kam luajtur asnjë lojë shah, dikush mund të mos e besojë këtë, por kjo është e vërteta. Kam pasur një arsye për këtë, e shihja që kolegët më të mirë kur luanin shah përlaheshin. Unë në burg jam argëtuar vetëm me librin, ai ka qenë argëtimi im për gjashtë vite dhe kjo mu ka shpërblyer.

Sporti, freskues i shpirtit

Tribuna Shqiptare: A jeni adhurues i sportit dhe cilin sport e pëlqeni më shumë?

Ministri Buja: Sportist jam edhe vetë. Jam marrë me atletikë, me karate, merrem që një kohë të gjatë me fitnes dhe vazhdoj të jem aktiv në këtë sport. Dua t’i këshilloj të rinjtë që të merren më sport, sepse iu krijon balancë, lodhje dhe baraspeshë të asaj që quhet lodhje fizike dhe psikike.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.