MASHT

inistri Bajrami priti në takim kryetarët e komunave të Kosovës

9 Janar, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka pritur në takim kryetarët e Komunave të Kosovës, me të cilët ka biseduar rreth prioriteteve që ka në fushën e arsimit dhe për bashkëpunimin me komunat në drejtim të ngritjes së cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se arsimi është një problem kombëtar dhe kërkon angazhim të gjithanshëm të pushtetit lokal dhe të Qeverisë, prandaj do të ishte mirë që të krijohet një praktikë që përveç takimeve mujore me drejtorët komunalë të arsimit, të ketë edhe takime vjetore me kryetarët e komunave për të diskutuar problemet e arsimit.

“Qeveria e re është në proces të konsolidimit. Ne jemi në fazën e përgatitjes së programit qeveritar, i cili shpresoj që javen e ardhshme do të mund të vij edhe në Parlament dhe unë si ministër i Arsimit jam duke punuar afër me Qeverinë për të hartuar edhe Programin Kombëtar të Sferës së Arsimit”, theksoi ministri Bajrami.

Në mandatin tim, tha ministri, angazhimi kryesor në sferën e arsimit do të jetë ngritja e cilësisë në arsim, cilësisë së politikave publike të arsimit, cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Do të punojmë së bashku me kryetarët e komunave, së bashku me drejtoritë komunale të arsimit shumë afër për të kordinuar politikat tona qeveritare në sferën e arsimit”, tha ministri Bajrami dhe i ftoi kryetarët e komunave që të bashkëpunojnë në rishikimin e vazhdueshëm të politikave kombëtare në sferën e arsimit.

Gjatë këtij takimi, ministri ftoi kryetarët e komunave të ndihmojnë edhe në realizimin e njërës nga kërkesat e sindikalistëve të arsimit, që është transporti i mësimdhënësve. “Duke pasur parasysh se aktualisht kemi kërkesa sindikale, të cilat i adresohen kryesisht Qeverisë qëndrore, pra zbatimi i Kontratës Kolektive për sferën e arsimit, ju ftoj që të kujdeseni për një komponentë të kësaj Kontrate, që është transporti i mësuesve”.

Ne, tha ministri Bajrami, këto ditë po punojmë si Qeveri për të adresuar edhe kërkesat tjera. “Nga kërkesat sindikale na ka mbetur vetëm edhe një çështje për ta diskutuar, ajo e shujtës, sepse për çështjet tjera kemi gjetur një gjuhë të përbashkët”, tha ministri Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Naim Ismaili falënderoi ministrin Bajrami për iniciativën për të takuar kryetarët e komunave, sepse tha se bashkarisht mund të diskutojnë çështjet më të rëndësishme në sektorin e arsimit.

Kryetari Ismaili tha se kryetarët e komunave do të jenë partnerë të Ministrisë në drejtim të ngritjes së cilësisë në arsim, ndërsa sa i përket transportit të mësimdhënësve, ai tha se do të analizohet kostoja financiare dhe të shihen mundësitë për ta zgjidhur këtë çështje.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.