MASHT

ËSHTË INAUGURUAR PUNËTORIA E FLOKËTARISË NË QENDRËN E KOMPETENCËS “SHTJEFËN GJEÇOVI”

29 Mars, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit profesional inauguruan Punëtorinë e Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual dhe ndërlidhjen e arsimit dhe aftësimit me nevoja të tregut të punës.

Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit e ka prioritizuar arsimin profesional duke e radhitur në nivelin më të lartë të prioriteteve, të bindur se zhvillimi dhe aftësimi profesional janë çelës i zhvillimit ekonomik të vendit dhe mundësi për punësim të lehtë të të rinjve tanë në tregun e punës.

Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Luksemburgut dhe donatorët tjerë, Agjencinë e Arsimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, Autoritetin e Kombëtar të Kualifikimeve dhe Qendrën e Kompetencës, për bashkëpunimin konstruktiv në jetësimin e arsimit dual në këtë profil dhe profile të tjera.

Ajo tha se kjo është iniciativë e cila ka rezultuar e suksesshme, falë bashkëpunimit të sinqertë të të gjitha palëve për t’ju ofruar shpresë të rinjëve tanë.

Për rëndësinë e këtij investimi dhe mundësinë që nxënësit të marrin shkathtësitë bazë në punëtori e më pas t’i praktikojnë në sallone foli edhe Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, i cili tha se Qeveria e Luksemburgut ka qenë dhe është partner afatgjatë i Kosovës dhe jemi krenarë që po mbështesim sektorin e arsimit, në veçanti atë të arsimit dhe aftësimit profesional.

Drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Profesional dhe Arsimit për të Rritur, Fikrije Zymberi tha se nxënësit tanë vërtetë kanë nevojë për përfitimin e shkathtësive përmes mësimit dual të cilin e ka mundësuar Qeveria e Kosovës dhe është mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut.

Profili i Flokëtarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë ka 21 nxënës, të cilët tri ditë mësimin e realizojnë në klasë dhe dy ditë në Punëtori.

Last modified: 29 Mars, 2023

Comments are closed.