Hulumtues nga shumë vende të botës po marrin pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor

10 Qershor 2021

Në Konferencën ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor – KICER, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se pandemia nxori në pah mundësitë e shumta të mësimit në distancë, ndërsa hulumtimet duhet të na tregojnë se si mund t’i shfrytëzojmë në mënyrë sa më optimale kapacitetet e teknologjisë në të ardhmen.

Kjo Konferencë dyditore ku po marrin pjesë hulumtues nga vende të ndryshme të botës është organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe do të jetë e përqëndruar në këto fusha: zhvillimin e politikave arsimore drejt cilësisë në arsim, mësimin dhe mësimin në distancë në arsimin parauniversitar, edukimin për qytetari demokratike, si dhe përfshirjen dhe diversitetin.

Ministrja Nagavci, me këtë rast, përmendi avancimet që janë bërë në konsolidimin e sistemit të arsimit në Kosovë, por tha se akoma kemi probleme serioze dhe na duhet të punojmë shumë për t’i arritur standardet ndërkombëtare të cilësisë.  Ajo theksoi se për këtë qëllim na nevojitet një bazë solide e evidencës shkencore mbi të cilën mund të mbështetet politikëbërja dhe vendimmarrja.

 

Po ashtu, Ministrja tha se hulumtimi në arsim i shërben përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit në shkolla, si dhe, në përgjithësi, përmirësimit të shkollës. Ndërsa, duke folur për mësimin në distancë që u imponua nga pandemia, ajo përmendi përkushtimin e mësimdhënësve në këtë drejtim.

Duke qenë se i gjithë ky aktivitet zhvillohet në kuadër të një projekti ndërkombëtar të financuar nga Programi Erasmus Plus, Ministrja falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen.

Kënaqësinë për krijimin e kësaj mundësie e shprehu edhe Stergios Tragoudas, menaxher i programin në Zyrën e BE-së në Kosovë, ndërsa theksoi rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur aktivitete të tilla që i kontribuojnë arsimit.

Edhe rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, theksuan rëndësinë e hulumtimit në arsim dhe rolin e Fakultetit të Edukimit në përmirësimin e cilësisë në arsim.