MASHT

KUSHTE MË TË MIRA PËR EDUKIMIN NË FËMIJËRINË E HERSHME PËRMES LOJËS

9 Qershor, 2021

Rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, ndërtimi i çerdheve të reja dhe krijimi i ambienteve të përshtatshme për të mundësuar edukimin e hershëm në kushte sa më cilësore, janë një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila bashkë me drejtorin e Caritas-it zviceran, Gerhard Schaumberger dhe drejtoreshën e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala, kanë marrë pjesë në inaugurimin e një klase të rregulluar (pajisur) për parafillorët në shkollën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Kjo klasë është një nga 112 klasat parafillore, që janë duke u pajisur në 20 komuna të Kosovës në kuadër të projektit SHPRESE të Caritas-it zviceran dhe përveç inventarit dhe infrastrukturës së nevojshme, klasat do të kenë edhe një numër të konsiderueshëm të figurave prej druri për lojë dhe mësim.

Ministrja Nagavci falënderoi Caritas-in zviceran për bashkëpunimin dhe tha se përveç kësaj nga ky bashkëpunim është bërë e mundur edhe trajnimi i mbi 700 edukatorëve në shkollat e Kosovës. Ajo tha se bashkë Institutin Pedagogjik dhe Fakultetin e Edukimit po punohet që edukatorëve t’u ofrohen shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme që të zhvillojnë dukimin e hershëm sipas standardeve ndërkombëtare.

Duke folur për rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, ministrja Nagavci tha se brenda këtij mandati qeverisës pritet që së paku të dyfishohet përfshirja në edukimin e hershëm.

Drejtori i Caritas-it zviceran, Gerhard Schaumberger tha se, është shumë i kënaqur që Qeveria e re ka vënë në agjendën e saj investimin në edukimin e hershëm. Ai përmendi edhe kampanjën që është duke u realizuar për edukimin e hershëm, e që është  emëruar “Vnoma veshin”.

Ndërsa, drejtoresha e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala tha se nga ky projekt, komuna e Prishtinës ka qenë përfituese me 15 shkolla dhe gjithashtu janë trajnuar dhe do të trajnohen 100 mësimdhënës dhe edukatorë të ciklit parafillor.

Projekti SHPRESE është duke u zbatuar që nga viti 2018 nga Caritas-i zviceran dhe i kontribuon përmirësimit të cilësisë së arsimit parafillor dhe ofrimit të shërbimeve në edukimin parafillor në Kosovë.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.