MASHT

MINISTRJA NAGAVCI: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 ISHIN KTHESA MË E RËNDËSISHME E HISTORISË

10 Qershor, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”, e cila është organizuar në shenjë të shënimit të 40 vjetorit të kësaj Lëvizje.

Ministrja Nagacvi, në emër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përshëndeti Këshillin organizues të kësaj Konference shkencore, e cila përkujton një kthesë të rëndësishme dhe të shumanshme në historinë e re të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar, pra Lëvizjen e vitit 1981.

Ministrja Nagavci tha se, ky kapitull i rëndësishëm i trashëgimisë sonë historike, ashtu si edhe gjithë e kaluara e lavdishme çlirimtare, demokratizuese e progresiste duhet t’i shtrohet eksplorimit të gjithanshëm shkencor dhe afirmimit të duhur jo vetëm në opinionin e brendshëm kombëtar, por edhe në dimensione regjionale e ndërkombëtare.

Ndër të tjera, Nagavci bëri të ditur se Qeveria, në programin e saj qeverisës, ka paraparë adresimin e represionit dhe gjeonocidit shovinist, mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të mirënjohura ndërkombëtare, pos tjerash edhe duke krijuar dhe funksionalizuar Institutin për krimet e shtypjes, dhunës dhe terrorit, për dokumentimin, arkivimin, afirmimin si dhe ekspozimin e tyre dhe procedimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ministrja Nagavci po ashtu tha se, është e pakuptueshme dhe e papranueshme që faqe të ndritura të historisë sonë çlirimtare, avancuese e demokratizuese, edhe 40 vjet me vonë, të mbeten dhe të mbahen jashtë teksteve dhe programeve tona shkollore.

Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave  të Republikës së Shqipërisë tha se, viti 1981 provoi para botës që durimi shqiptar kishte marrë fund.

Akademik Marenglen Verli, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, në Tiranë vlerësoi se ngjarjet e vitit 1981 dhanë rezultatet e para, duke bërë një nga kthesat më të mëdha historikë dhe pastaj pa kaluar ende dy dekada u shënua largimi i administratës së shtetit serb nga Kosova.

Në Konferencë morën pjesë veprimtarë të Pranverës 81, studiues dhe hulumtues  shkencor nga vise të ndryshme të hapësirës shqiptare.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.