MASHT

PUBLIKOHEN REZULTATET E VLERËSIMIT PIRLS 2021

16 Maj, 2023

Studimi i Progresit në Leximin Ndërkombëtare “Progress in International Reading Literacy Study” (PIRLS) është një vlerësim gjithëpërfshirës i kryer nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve në Arsim (IEA) për të matur nivelin e leximit të nxënësve të klasës së katërt në nivel global. Rezultatet e këtij studimi janë gjeneruar nga të dhënat e mbledhura gjatë vitit shkollor 2020-2021.

Nga 57 shtete pjesëmarrëse në këtë vlerësim ndërkombëtar të leximit, Kosova renditet në vendin e 51. Rezultatet e PIRLS 2021 e rikonfirmojnë nevojën për përmirësim dhe veprim të menjëhershëm dhe intensifikimin e bashkëpunimit të të gjitha institucioneve përfshirë prindërit, mësimdhënësit, e shoqërinë civile.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shumë shpejt do të formojë Grupin punues për të analizuar rezultatet dhe për të përgatitur raportin me të dhëna të detajuara.

Të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor, MAShTI ka ndërmarrë masa që kanë synim rritjen e cilësisë në arsim dhe të cilat presim të reflektohen në testimet e ardhshme.

Ndër veprimet që kemi ndërmarrë si Ministri janë:

-Hartimi i kujdesshëm i politikave arsimore që përqendrohen në përmirësim të sigurimit të cilësisë në arsim siç janë:

-Miratimi i Strategjinë për Arsim 2022-2026,

-Miratimi i Pakos ligjore për licencim dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve.

-Rritje e pagave të mësimdhënësve me Ligjin e ri për paga.

2. Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Përveç rritjes së pagave për mësimdhënës, kemi paraparë fond 1 milion euro në trajnimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, duke u siguruar që ata të kenë njohuri dhe aftësitë e kërkuara në linjë me zhvillimet e fundit. Po ashtu, është hartuar legjislacioni për zhvillim profesional dhe aprovim të programeve trajnuese për mësimdhënës. Për herë të parë, kemi paraparë  licensën e avancuar për mësimdhënësit më meritorë dhe është ndarë buxheti për këtë.

3.Ngritja e standardeve të teksteve shkollore dhe materialeve mësimore:

-Kemi miratuar Ligjin e ri për tekste shkollore,

-Kemi filluar rishikimin e teksteve për lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës dhe do të vazhdojmë edhe me lëndët tjera.

-Kemi lejuar tekstet alternative.

4. Për promovimin e leximit, po punojmë në furnizim të biblotekave me tituj librash për nxënës e mësimdhënës për të krijuar mjedise ku stimulohet leximi. Po investojmë në infrastrukturë arsimore duke garantuar qasje në internet të sigurt dhe të shpejtë që përdoret për të siguruar qasje në burime të leximit.

Politikat që po ndërmarrim si Ministri e Arsimit është e rëndësishme të implementohen me përgjegjësi. Bashkëpunimi efikas, llogaridhënia dhe rritja e përgjegjësisë në nivel të shkollave dhe komunave do të qojnë në përmirësimin e rezultateve.

REZULTATET

Last modified: 16 Maj, 2023