MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MORI PJESË NË AKTIVITETET SENSIBILIZUESE PËR PËRDORIMIN E SIGURTË TË INTERNETIT NË SHKOLLËN “SELMAN RIZA” NË FUSHË KOSOVË

14 Shkurt, 2023

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt, ministrja e Arsimit, Shkencës, Tenologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar ShFMU “Selman Riza” në Fushë Kosovë për të parë nga afër aktivitetet e kësaj shkolle me qëllim të promovimit të përdorimit të sigurt të internetit nga fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe mobilizimi i institucioneve për koordinim dhe bashkëveprim në mbrojtjen e fëmijëve në internet.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka qëndruar në një orë mësimore ku është folur për sigurinë në internet, ngacmimet me të cilat mund të përballen nxënësit si pasojë e përdorimit të internetit në mënyrë të pakontrolluar dhe rëndësinë e shfrytëzimit të platformave të ndryshme të cilat ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë njohuritë e tyre.

Ministrja Nagavci gjatë bashkëbisedimit me nxënës dhe mësimdhënës ka folur edhe për pakon e udhëzuesve dhe dokumentet tjera të rëndësishme të cilat i ka zhvilluar MAShTI të cilat synojnë shmangien nga keqpërdorimi i teknologjisë informative, dhuna digjitale, shkelja e privatësisë dhe elementeve tjera negative të dëmshme për çdo individ dhe shoqëri.

Ndryshe MAShTI, bazuar në mandatin e vet, ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen e fëmijëve në internet, i cili ka për qëllim që institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në nivelin parauniversitar të adresojnë mbrojtjen e fëmijëve/nxënësve në internet nëpërmjet procesit të rregullt arsimor dhe aktiviteteve jashtëmësimore, duke i përgatitur ata për përdorimin e sigurt të internetit, në përputhje me zhvillimin e tyre fizik, të komunikimit, social, emocional dhe intelektual.

Kjo temë e rëndësishme është pjesë e kurrikulave tona, ku në mënyrë specifike trajtohet tek lënda Teknologji me TIK (në kuadër të fushës kurrikulare Jeta dhe puna) si dhe tek çështjet ndërkurrikulare: Edukimi për medie dhe Globalizimi dhe ndërvarësia.

Tutje, MASHTI ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve “Udhëtimi nëpër internet” (dy udhëzuesit për nxënës, një për mësimdhënës dhe një për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me çasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.

Last modified: 14 Shkurt, 2023