MASHT

QEVERIA VOTON PROJEKT KONCEPTIN PËR PLAN-PROGRAMIN E LËNDËS “EDUKIMI PËR SIGURI”

16 Dhjetor, 2022

Qeveria e Republikës së Kosovës ka votuar projekt konceptin për plan-programin e lëndës “Edukimi për Siguri”, i cili është planifikuar të realizohet në fund të vitit mësimor 2022-2023.

MAShTI në koordinim me Ministrinë e Mbrojtjes, duke u mbështetur në programin e Qeverisë 2021-2025, kanë ndërmarrë veprimet e duhura për zhvillimin e programit edukativ për të rinjtë e Republikës së Kosovës në fushën edukimit për siguri.

Programi ka për qëllim edukimin dhe trajnimin e të rinjve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe parashihet të zhvillohet me nxënës të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i realizimit të këtij programi është përgatitja dhe edukimi i të rinjve për aftësitë dhe shkathtësitë bazë ushtarake, si dhe përfitimi i njohurive rreth fushës së sigurisë dhe reagimit në emergjenca civile. Ky program do të jetë gjithëpërfshirës në aspektin gjinor dhe etnik, ku pjesëmarrës do të jenë nxënësit e klasave të 11-ta.

Përzgjedhja e pjesëmarrësve do të bëhet nga MAShTI, në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit në Republikën e Kosovës, ndërsa programi do të realizohet nga trajnues të certifikuar të FSK-së.

Për fushat e ndryshme të specializimit, kërkohet që trajnuesit të jenë edhe nga institucionet tjera si: Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Kryqi i Kuq i Kosovës.

Programi do të realizohet sipas konceptit 2 javë teori në shkolla dhe 1 javë praktikë në terren (kamp fushor) – gjithsej 3 javë (15 ditë pune) ose 60 orë mësimore. Në koordinim me komunat, do të përzgjidhen 2100 nxënës nga secila komunë.

Këta nxënës për dy javë resht do të vijojnë mësimin teorik në shtatë rajonet e Kosovës, ku 300 prej atyre që do të tregojnë rezultatet më të mira gjatë procesit të mësimit teorik, do të vazhdojnë edhe një javë praktikë në terren (kamp fushor).

Kostoja e realizimit të këtij projekti është paraparë të jetë rreth 350 mijë euro.

Last modified: 16 Dhjetor, 2022

Comments are closed.