MASHT

MASHTI PËRFITON GRANT NË VLERË 600 MIJË EURO PËR FORCIMIN E SISTEMIT TË ARSIMIT NË KOSOVË

16 Dhjetor, 2022

BEI Globale, dega e dedikuar e BEI-t për aktivitetet jashtë Bashkimit Evropian, i ka ofruar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë një grant me vlerë 600 mijë në formën e asistencës teknike.

Ky është hapi i parë për një ndërhyrje më të gjerë të bankës në forcimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Me këtë rast, BEI Globale do të ndihmojë në identifikimin e nevojave për përmirësim në arsimin e lartë në Kosovë. Mbështetja këshilluese do të ofrojë rekomandime për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe standardeve të institucioneve publike të arsimit të lartë.

Ky vlerësim është hapi i parë për zgjerimin, rinovimin dhe rehabilitimin e universiteteve të përzgjedhura publike dhe do të rezultojë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet e Bankës në Ballkanin Perëndimor ka thënë se dega jonë e zhvillimit, BEI Globale, ka kontribuar në rritjen e mbështetjes teknike për projekte të reja dhe të qëndrueshme në rajon, në përputhje me standardet e BE-së.

Sipas saj, Granti i nënshkruar me partnerët tanë në Kosovë do të ndihmojë në ofrimin e udhëzimeve për zhvillimin e proceseve moderne arsimore dhe të infrastrukturës për secilin institucion të përfshirë në projekt.

Në këtë mënyrë, ka theksuar se granti do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike përmes fuqizimit të potencialit njerëzor dhe zhvillimit të shkathtësive për t’iu përshtatur kërkesave të tregut të punës në mënyrë më efikase.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se kjo marrëveshje është dëshmi e mëtejshme e përkushtimit të EIB Global për të mbështetur Kosovën, drejt përmirësimeve në shkallë të gjerë në sektorin e arsimit.

Ajo ka theksuar se Infrastruktura dhe standardet e arsimit të lartë janë dy shtylla kyçe që përcaktojnë cilësinë e arsimit të ofruar dhe ky grant është një mundësi e shkëlqyer për të përmirësuar dhe avancuar sistemin tonë arsimor.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati e ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me BEI-n, si një nga partnerët kyç të zhvillimit në rrugën drejt integrimit në BE, dhe tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për ne.

Sipas tij, sektori i arsimit të lartë do të përfitojë nga rekomandimet e ekspertëve të angazhuar dhe kjo do t’i hapë rrugën prioritizimit të investimeve tepër të nevojshme në të ardhmen në infrastrukturën e arsimit të lartë.

Që prej vitit 2020, BEI Globale ka investuar 70 milionë euro në bizneset e vogla të Kosovës dhe në sektorin e mjedisit. Në vitin 2022, BEI Globale ofroi dy grante asistence teknike për Kosovën me vlerë 2,1 milionë euro.

Që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, BEI ka zhbllokuar 70 milionë euro për Kosovën për të mbështetur rimëkëmbjen më të shpejtë të bizneseve të vogla dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza. Deri më sot, BEI ka dhënë 170 milionë euro për sektorin e arsimit në Ballkanin Perëndimor.

Last modified: 16 Dhjetor, 2022

Comments are closed.