MASHT

Ministri Bajrami foli në takimin e përbashkët të MAShT-it dhe Kolegjiumit të Drejtorëve për Arsim dhe Kulturë të Asociacionit të Komunave të Kosovës

7 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në takimin e përbashkët të MAShT dhe Kolegjiumit të Drejtorëve për Arsim dhe Kulturë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku u diskutua Dokumenti Strategjik- sigurimi i cilësisë, programi për arsim GIZ- CDBE, ecuria e procesit të pilotimit të Kurrikulës së Re dhe çështje të tjera për arsim.

Ministri Bajrami theksoi se, do të kërkojë rishikimin e Ligjit për Buxhet, në mënyrë që asnjë komunë të mos ketë probleme me buxhetin për arsim.

“Kam kërkuar që të mos i bëhet asnjë shkurtim buxhetor komunave, në mënyrë që të mos ketë largime për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe për shkak të formulës së normave të punës. Ekziston një parim i përgjithshëm i qeverisë, për mos shkurtim të vendeve të punës”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Kolegjiumi i Drejtorëve është një mekanizëm shumë i rëndësishëm konsultativ, i cili ndihmon në kordinimin e politikave lokale me ato qendrore, avancimin e politikave në sferën e arsimit dhe ndërtimin e politikave sa më të mira në arsim.

Ndër të tjera, ministri vlerësoi se, duhet krijuar mekanizma të qëndrueshme për ngritjen e cilësisë në shkolla, duke filluar nga Kurrikula, avancimi i mësimdhënies dhe mësimnxënies, përshtatja e nevojave të tregut të punës, rishikimi i teksteve shkollore, vlerësimi i performancës dhe mësimi elektronik.

Ministri Bajrami, theks të veçantë i kushtoi edhe zhvillimit të arsimit profesional, ku bëri të ditur se MAShT ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në këtë fushë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë, në mënyrë që të ndihmojnë me tekste shkollore.

Ministri Bajrami, po ashtu bëri të ditur, se Projektligji i Punëtorëve të Arsimit 1990/ 99 është përcjell në Qeverinë e Kosovës dhe se është duke u punuar në Projektligjin e Inspektoratit të Arsimit.

Last modified: 31 Gusht, 2022