MASHT

Marrëveshje Bashkëpunimi me fabrikën “Solid” për pilotimin e sistemit dual të arsimit

15 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka vizituar sot fabrikën e këpucëve “Solid” në Suharekë, ku ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me përfaqësuesin e kësaj fabrike, z. Shefqet Kuçi, për fillimin e pilotimit të sistemit dual të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.

Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, suksesi në arsimin parauniversitar siguron sukses edhe në arsimin e lartë, nivel ky i arsimit që është edhe prioriet i Qeverisë së Kosovës.

Ministri Bajrami foli për rëndësinë e sistemit dual të arsimit, për partneritetin e kompaniave lokale me shkollat profesionale, e po ashtu edhe për profilizimin e shkollave profesionale, duke u bazuar në nevojat e tregut të punës.

Ndërsa, ministri foli edhe për refrormat që janë duke u bërë në arsim, e në veçanti për Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016-2020, digjitalizimin e shkollave, trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve e procese të tjera të rëndësishme.

Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj, ndërkaq tha se, duhet të ekzistojë partneritet i fuqishëm mes MAShT dhe DKA-së në arsimimin e kuadrove të reja për tregun e punës.

Sistemi dual nënkupton hartimin e standardeve të profesionit dhe kurrikulave në bashkëpunim me ndërmarrjet, sipas kërkesave të tregut të punës (ndërmarrjes), si dhe realizimin e mësimit praktik, i cili parashihet në kurrikulë.

Last modified: 30 Gusht, 2022