MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në shënimin e 25 vjetorit të themelimit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë

12 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë sot në ceremoninë solemne ku është shënuar 25 vjetori i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë  (LASh) “Naim Frashëri”.

Me këtë rast, ministri Bajrami u shpreh se kjo ngjarje shënon fillimin e përpjekjeve finale të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim dhe tha se ky proces ka filluar me rezistencën që ka bërë shkolla shqipe, që kanë bërë arsimtarët në momente historike.

“Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, ka qenë një institucion shumë i rëndësishëm, i cili ndër të parët ka vënë bazat e rezistencës, të pavarësisë dhe të ruajtjes së arsimit shqip në kohë shumë të vështira”, tha ministri.

Ministri Bajrami kujtoi të gjithë ata që ndihmuan arsimin shqip, e po ashtu edhe mësimdhënësit që ranë duke bërë rezistencë kombëtare.

“Nuk ishte lehtë që të mbahej shkolla shqipe në atë kohë, sepse ishin planet e spastrimit etnik, të dëbimit, të mbylljes së shkollave dhe përfundimit të ëndrrës për një shtet të pavarur dhe sovran. Por, tani të gjithë jemi krenar për homogjenitetin kombëtar që kemi pasur në periudhën 1990-98”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se ka qenë arsimi që ka zbatuar për herë të parë Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke hartuar akte ligjore.

Duke kujtuar rolin LASh-it, ministri Bajrami tha se ne sot duhet të vetëdijësohemi për rolin e shkollës sonë në një shtet demokratik dhe të pavarur. “Sot arsimi dhe edukimi janë fusha kryesore të përparimit të shtetit tonë”, tha ai, ndërsa theksoi se nuk ka investim më të rëndësishëm për shtetin tonë se sa të krijosh shkolla dhe universitete cilësore.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.