Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “arsimimi i komuniteteve jo shumicë në Kosovë – sfidat dhe zgjidhjet” të organizuar nga Këshilli Konsultativ për Komunitete.
Me këtë rast ministri Bajrami ndër tjera tha se arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor është ndër prioritetet kryesore të MASHT, e krahas kësaj arsimimi i komuniteteve në Kosovë, e që është jo vetëm si e drejtë, por edhe si një bazë për zhvillimin individual dhe të kuptuarit e diversitetit, promovimit dhe respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi.
Ministri Bajrami gjithashtu tha se Ministria e Arsimit, ka siguruar tekstet shkollore falas për të gjithë, përfshirë këtu edhe nxënësit komuniteteve, me përjashtim të atij serb të cilët ende nuk janë të kyçur në sistemin arsimor të Kosovës.
Ministri Bajrami, gjithashtu foli edhe për arsimin e lartë, me ç’rast tha se për studentët e komuniteteve jo shumicë, janë siguruar kuotat për regjistrim, ndërsa përmendi faktin se në Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit, mësimi zhvillohet në 3 gjuhët e mjedisit, kurse në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën Boshnjake.
Në vazhdim, ministri Bajrami, ndër tjera tha se MASHT, do të sigurojë infrastrukturën ligjore për funksionalizim dhe mbështetje Qendrave të Mësimit, si dhe për kuotat për regjistrim të studentëve në Universitetin e Prishtinës.
MASHT, do të botoi tekste shkollore për komunitetin Boshnjak dhe Turk, do të bëjë botimin e teksteve shkollore në gjuhën Rome, do të angazhohet për zbatimin e “Planit të Veprimit dhe Strategjisë për përfshirjen e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në shoqërinë Kosovare 2016/20, si dhe do të bëjë trajnimin e trajnerëve për zbatimin e Kurrikulës së re të Kosovës për mësimin në gjuhën Boshnjake dhe Turke etj.
Në fund, ministri Bajrami tha se në bashkëpunim me KFOS –in, do të zbatojë projektin IPA 2014, me qëllim të integrimit sa më të plotë të komuniteteve në sistemin tonë arsimor.
Last modified: 30 Gusht, 2022