MASHT

MASHTI, PIN, THE IDEAS PARTNERSHIP DHE AUTIZMI FLET NËNSHKRUAN MEMORANDUM MIRËKUPTIMI

4 Nëntor, 2021

04 Nentor 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryesuesi i Zyrës së People In Need International në Kosovë Ramadan Berisha, drejtori ekzekutiv The Ideas Partnership Arbon Osmani dhe drejtoresha ekzekutive e “Autizmi Flet” Violetë Hyseni, nënshkruan sot Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të projektit “Edukimi për të gjithë”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, në bashkëfinancim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është rritja e bashkëpunimit të ndërsjelltë në përmbushjen e të drejtave për arsimim të barabartë në gjithëpërfshirje të fëmijëve dhe adoleshentëve me nevoja të veçanta dhe atyre që vijnë nga komunitetet e cenueshme në Kosovë (mosha 6-14 vjeç).

Me këtë rast, është zhvilluar edhe një vizitë në ShFMU “Elena Gjika” në Prishtinë, ku të pranishëm ishin edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, udhëheqësi i misionit në Ambasadën e Republikës Çeke në Kosovë , Pavel Bilek dhe themeluesi i People in Need International, Simon Panek.

Ministrja Nagavci uroi që Marrëveshja e nënshkruar të finalizojë përpjekjet e përbashkëta të Ministrisë dhe partnerëve të saj vendorë dhe ndërkombëtarë për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë fëmijët.

Po ashtu, theksoi se, gjithëpërfshirja është pjesë integrale e politikave tona dhe nuk shihet vetem si integrimin i fëmijëve në procesin arsimor, por edhe si transformim dhe reformim i gjithë shoqërisë.

Ndër të tjera, Ministrja tha se, janë duke u bërë hapa përpara në këtë drejtim dhe përkushtimi i Qeverisë së Kosovës është fuqizimi i mekanizmave për zbatimin e politikave, për çka edhe është bërë buxhetimi për punësimin e nga njëqind asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta për katër vitet e ardhshme.

Ajo ka falënderuar BE-në për përkrahjen në realizmin e këtyre synimeve, e cila në këtë drejtim ka kontribuar përmes fondeve dhe ofrimit të ekspertizës, ndërsa theksoi edhe ndihmën e vazhdueshme të Ambasadës së Çekisë.

Kryesuesi i Zyrës së People In Need International në Kosovë, Ramadan Berisha tha se

falë BE-së, bashkëfinancimit të Republikës së Çekisë dhe mbështetjes së parezervë të Ministrisë së Arsimit është mundësuar që ky projekt të pilotohet në Kosovë.

Ambasadori BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se ndjehet mirë kur sheh që  iniciativa të tilla nga BE-ja sjellin impakt të tillë në shkollat Kosovës.  Ai shtoi se, përmes intervenimeve si këto, BE dëshiron të përmirësojë situatën për njerëzit në nevojë dhe se janë duke u parë shenja inkurajuese në këtë drejtim.

Ndërkaq, udhëheqësi i misionit në Ambasadën e Republikës Çeke në Kosovë, Pavel Bilek theksoi se programet që kjo Ambasadë i mbështetë kanë për qëllim përfshirjen e njerëzve nga grupe të cenueshme dhe programi “Edukimi për të gjithë” është një provë e suksesit të organizatës.

Simon Panek, themelues i People in Need International tha se, nuk është ideja vetëm të krijojmë ambient për gjithëpërfshirje, por edhe t’u mundësojmë të drejta të barabarta të gjithë personave.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.