MASHT

STUDENTËT ME NEVOJA TË VEÇANTA PAJISEN ME LAPTOPË NGA MINISTRIA E ARSIMIT

26 Shtator, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ndarë laptopë për studentët me nevoja të veçanta, të cilët studiojnë në universitete publike të Kosovës.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka thënë se, kjo kategori e studentëve përballen me sfida të shumta, ndërsa i përgëzoi për kurajon dhe angazhimin në punën e tyre akademike, në të mirën e shoqërisë.

Duke folur për vështirësitë sa i përket infrastrukturës fizike dhe qasjen e vështirë nëpër fakultetet ku sudiojnë, ministrja Nagavci i inkurajoi studentët që të adresojnë secilën kërkesë të tyre e cila ua bën më të lehtë punën gjatë studimeve.

Ministrja Nagavci përmendi edhe një varg veprimesh konkrete që janë ndërmarrë dhe po vazhdojnë për ta përmirësuar situatën dhe zbutur nevojat e fëmijëve dhe studentëve me nevoja të veçanta dhe familjeve të tyre, si punësimi i asistetëve, përkrahja financiare përmes bursave dhe veprime të tjera.

Ndërsa, Leonos Berisha, përfaqësues i studentëve, në emër të grupit falënderoi ministren për pajisjen me laptopë, pasi që theksoi se ky është mjet i domosdoshëm për përgatitjen e tyre profesionale dhe për studime më cilësore.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, vitin 2022 e ka shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar dhe në kuadër të kësaj ka ndërmarrë veprime për të përmirësuar pozitën nxënësve dhe studentëve të kësaj kategorie gjatë shkollimit të tyre.

Last modified: 26 Shtator, 2022