MASHT

Zv/ministri Sahiti vendosi gurëthemelin e objektit të ri të Shkollës Profesionale në Lipjan

7 Nëntor, 2017

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, ka përuruar fazën e parë të punimeve të objektit të ri të Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica”, në Lipjan. Në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të shkollës së re u tha se, nxënësit dhe mësimdhënësit kanë pasur nevojë të domosdoshme ndërtimin e një objekti të ri, në mënyrë që mësimi në këtë shkollë të jetë sa më kualitativ.

Zv/ministri i Arsimit, Heset Sahiti, me këtë rast ka theksuar se, fillimi i ndërtimit të kësaj shkolle i kontribuon kompletimit të infrastrukturës së nevojshme shkollore në Komunën e Lipjanit.

Zv/ministri Sahiti po ashtu tha se, deri më tani në Shkollën Profesionale në Lipjan është punuar në kushte jo të favorshme.

“Uroj fillimin e ndërtimit të objektit të ri të Shkollës Profesionale. Deri më tani është punuar në kushte jo të mira, mirëpo në projektin e Ministrisë së Arsimit është edhe përmirësimi i hapësirave shkollore. Në Komunën e Lipjanit do të investohet edhe në objekte të tjera shkollore”, u shpreh zv/ministri.

Zv/ministri Sahiti uroi që punimet në ndërtimin e kësaj shkolle të shkojnë sipas dinamikës së paraparë, në bazë të së cilës parashihet që shkolla të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.

Ndërtimi i Shkollës Profesionale në Lipjan është projekt i Ministrisë së Arsimit dhe pritet të kushtojë rreth 450 mijë euro. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti me bashkëpunëtorë, nxënës dhe mësimdhënës të kësaj shkolle.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.